• Ankesa

Fakulteti Ekonomik

HISTORIKU I FAKULTETIT

Fakulteti Ekonomik i ka fillesat e tij në vitin 1993, me hapjen e programit të Administrim-Biznesit, mbi bazën e modelit amerikan të shkollimit në biznes dhe me mbështetjen e Universitetit të Illinoisit të Jugut, Carbondale, dhe Universitetit të Nebraskës, në SHBA. Në vitin 1996, ai fitoi statusin e fakultetit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 

Fakulteti Ekonomik ka për mision formimin e studentëve me njohuri bashkëkohore, duke synuar përgatitjen e tyre si menaxherë, financierë, kontabilistë dhe specialistë në fushën e turizmit, të aftë për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të komunitetit dhe të vendit, si dhe në kërkimin shkencor në fushën e ekonomisë. Fakulteti ofron një kurrikul të pasur dhe bashkëkohore në të tri ciklet e studimit, të përshtatur me nevojat e tregut të punës dhe të fokusuar në ndërthurjen e njohurive teorike me aftësimin praktik. Studimet zhvillohen në përputhje me parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, duke u ofruar studentëve mundësi për mobilitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Fakulteti mbështetet në një staf akademik të kualifikuar dhe të përkushtuar, si dhe në kontributin e profesorëve të ftuar, vendas dhe të huaj. Përmes bashkëpunimit me universitete evropiane dhe amerikane, institucione publike, biznese dhe organizata të shoqërisë civile, studentëve u krijohen mundësi për zhvillim akademik, profesional dhe kërkimor.

MISIONI

Fakulteti Ekonomik ka për mision formimin dhe zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve, përmes përvetësimit të njohurive bashkëkohore në fushat e ekonomisë, menaxhimit, financës, kontabilitetit dhe turizmit. Ai synon përgatitjen e specialistëve të kualifikuar, të aftë për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të komunitetit dhe të vendit, si dhe për t’u angazhuar në kërkimin shkencor dhe në avancimin e njohurive në fushën e ekonomisë.

OBJEKTIVAT

Fakulteti Ekonomik synon të rrisë cilësinë e formimit universitar, të nxisë kërkimin shkencor dhe të forcojë bashkëpunimin me biznesin, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë. Për realizimin e këtij misioni, Fakulteti orienton veprimtarinë e tij drejt objektivave të mëposhtëm:

  1. Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit, nëpërmjet zhvillimit të programeve të studimit bashkëkohore, të orientuara drejt standardeve evropiane të arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës.
  2. Formimi i specialistëve të kualifikuar, duke zhvilluar te studentët njohuritë teorike, aftësitë praktike dhe kompetencat profesionale në fushat e ekonomisë, administrim-biznesit, financës, kontabilitetit dhe turizmit.
  3. Përshtatja e programeve të studimit me zhvillimet ekonomike dhe profesionale, përmes rishikimit të vazhdueshëm të kurrikulave dhe forcimit të lidhjes ndërmjet formimit akademik dhe kërkesave të tregut të punës.
  4. Nxitja e kërkimit shkencor dhe inovacionit, duke mbështetur veprimtarinë kërkimore të stafit akademik dhe studentëve, si dhe përhapjen e rezultateve të kërkimit në fushat e ekonomisë dhe biznesit.
  5. Forcimi i bashkëpunimit me biznesin dhe institucionet publike e private, me synim krijimin e mundësive për praktika profesionale, punësim, projekte të përbashkëta dhe shkëmbim të ekspertizës.
  6. Ndërkombëtarizimi i veprimtarisë akademike, përmes zhvillimit të partneriteteve me universitete dhe institucione të huaja, pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare dhe promovimit të mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik.

POLITIKA E CILËSISË

Të konsolidojë dhe të zhvillojë më tej rolin e Fakultetit si njësi akademike e përkushtuar ndaj garantimit të cilësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të arsimit të lartë, duke siguruar mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirëse për formim akademik e profesional. Nëpërmjet përditësimit të programeve të studimit, zbatimit të standardeve bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit, si dhe forcimit të lidhjes ndërmjet formimit universitar dhe kërkesave të tregut të punës, Fakulteti synon të përgatisë profesionistë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Ky objektiv synon gjithashtu të nxisë barazinë në arsim, zhvillimin e kompetencave gjatë gjithë jetës dhe përafrimin e veprimtarisë akademike me prioritetet strategjike të zhvillimit të vendit.

ORGANIZIMI I FAKULTETIT

Dekane - Prof. As. Dr. Elidiana Bashi
✉ elidiana.bashi@unishk.edu.al


Zv. Dekane - Prof. As. Dr. Ardita Boriçi
✉ ardita.borici@unishk.edu.al


Sekretare e Dekanit - Fatbardha Myrtja
✉ fatbardha.myrtja@unishk.edu.al


Sekretaret mësimore - Borana Gjylbegu
✉ borana.gjylbegu@unishk.edu.al

Sekretaret mësimore - Amina Lici
✉ amina.lici@unishk.edu.al


IT - Sead Ishmaku
✉ sead.ishmaku@unishk.edu.al

 

Aktivitete