Më 24 janar 2019, në orën 11.00, u zhvillua nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” webinari me temë: “Menaxhimi financiar në bizneset turistike dhe inovacionet për zgjidhje të qëndrueshme”, në kuadër të projektit FOST-INNO- “Nxitja e sistemit të inovacionit të turizmit në Rajonin Adriatiko-Jonian” Interreg- Adrion 2014-2020, projekt i cili, ka si synim të kontribuojë në sigurimin e konkurrueshmërisë afatgjatë të turizmit të zonës Adriatiko-Joniane, duke rritur kapacitetet e inovacionit në turizmin e qëndrueshëm.
Ky ishte webinari i pestë i mbajtur si pjesë e punës së Qendrës së Inovacionit të Turizmit Adriatiko-Jonian me pika kontakti në gjashtë vendet partnere të projektit: Kroaci, Slloveni, Itali, Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe Mali i Zi, të ngritura në kuadër të këtij projekti. Kjo qendër, nëpërmjet strukturës së rrjetëzimit, shërben si një platformë për të mësuar dhe shpërndarë njohuritë mbi inovacionet për zhvillim të turizmit në mënyrë të qëndrueshme, si dhe për të promovuar aktivitetet inovative në këtë drejtim midis aktorëve të turizmit: SME-ve, universiteteve dhe qendrave kërkimore, autoriteteve qeveritare e rajonale, në të gjitha vendet partnere të përfshira në projekt.
Referimi në këtë webinar, u mbajt nga lektorja e departamentit të Turizmit të Fakultetit Ekonomik të USH-së, prof.as.dr.Mirjam Dibra. Gjatë referimit u qartësuan çështjet që kanë të bëjnë me kuptimin dhe nevojën për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, rolin e bizneseve turistike në qëndrueshmërinë e destinacionit turistik, faktorët që influencojnë bizneset turistike për të ndërmarrë inovacione për zhvillim turizmi të qëndrueshëm, duke e konkretizuar këtë me gjetjet kërkimore të studimit, të ndërmarrë nga lektorja në këtë drejtim për bizneset turistike operuese në Rajonin e Shkodrës, për të kaluar më pas, në sqarimin e çështjeve që lidhen me menaxhimin financiar në bizneset turistike dhe inovacionet për zgjidhje të qëndrueshme si zemra e menaxhimit funksional të bizneseve turistike për zhvillim turizmi të qëndrueshëm. Në fund, u bë konkretizimi me shembull inovacionesh për zgjidhje të qëndrueshme në SME-të e industrisë turistike.
Në këtë webinar morën pjesë 61 vetë nga të gjithë aktorët e interesuar: staf akademik nga të gjithë partnerët e projektit FOST INNO, staf i institucioneve qeveritare, përfaqësues të bizneseve turistike, studentë etj., duke shërbyer si një model i parë i suksesshëm i aplikimit të një metode inovative të dhënies on-line të leksionit në universitetin tonë me një impakt të gjerë.
Ky webinar u bë i mundur në sajë të koordinimit të punës për organizimin e tij nga koordinatorja e projektit për palën shqiptare, prof.dr.Arjeta Troshani, si dhe të ngritjes së infrastrukturës bashkëkohore të teknologjisë kompjuterike në godinën e re të Fakultetit Ekonomik të USH-së dhe të profesionalizmit e mbështetjes së dhënë për mbarëvajtjen e këtij webinari nga z.Ilir Hoxha, tekniku i TIK-ut në Qendrën e Teknikës Mësimore të USH-së. Zhvillimi i suksesshëm i këtij webinari tregoi se puna në skuadër është pjesë e rëndësishme e traditës për sukses në Fakultetitn Ekonomik.
Në fazën e dytë të projektit FOST INNO do të vazhdojë funksionin Qendra e Inovacionit Adriatiko-Jonian me aktivitetet e saj trajnuese, konsultime on-line, kërkimore dhe organizimin e një eventi publik.