Departamenti i Romanistikës përmbyll fazën e parë të projektit “Përgatitja dhe vënia në zbatim e Programit të ri Bachelor në Gjuhë të Huaja të Aplikuara për Turizmin “ i financuar nga Agjensia Universitare e Frankofonisë, në bashkëpunim me Universitetin Haute-Alsace Francë” me konferencën “Sfidat e formimeve universitare në bashkëpunim me mjedisin profesional” Si të zhvillojmë kulturën e bashkëpunimit mes universitetit dhe mjedisit profesional në kontekstin shqiptar dhe francez.
Aktiviteti kishte si qëllim parashtrimin e ofertës kurrikulare që ofrojnë programet e studimit të Universiteve të ndryshme dhe diskutimet e propozimet që mund të bëjnë të mundur bashkëpunimin midis universitetit dhe mjedisit profesional.
Takimi u moderua nga prof.as.dr. Dhuarata Hoxha si kordinatore e projektit, e cila pasi falenderoi pjesëmarrësit për interesin e treguar ndaj këtij projekti , theksoi rëndësinë e tij për departamentin e Romanistikës dhe FGJH-së, meqenëse shërben si një mundësi për të zgjeruar ofertat e formimeve universitare në gjuhë të huaja apo për të rinovuar ato ekzistuese me qëllim bërjen më konkurues të studentëve tanë në tregun e punës meqenëse kemi të bëjmë me formim pluridisiplinor që bazohet në pervojën franceze.
Prof. dr Esmeralda Kromidha, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës bëri një panoramë të perspektivave profesionale të të rinjve të diplomuar në gjuhë frënge, duke treguar edhe përvojat e krijuara në bashkëpunim me forumet e ndryshme të biznesit si dhe zhvillimin e strategjive nga FGJH për studimin e tregut të punës dhe zgjerimin e partneriteteve për të drejtuar studentët drej botës së biznesit.
Prof. Tatiana Musinova, drejtore e departamentit Gjuhë të Huaja të Aplikuara në Universitetin Haute-Alsace, paraqiti përvojën e universiteteve franceze në drejtim të lidhjeve dhe mundësive që ofron universiteti në bashkëpunimin me mjedisin profesional që fillon me periudhat e ndryshme të stazhit të parashikura të kryhen nga studentët gjatë viteve të studimit, mundësinë e punësimit të tyre si dhe ndjekjen e punesimit edhe pas diplomimit.
Znj. Bora Ferri në cilësinë e drejtores Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri vuri theksin në një problematikë të sotme që lidhet me shkëputjen e zinxhirit që lidh studentin me punëdhënësin, problematikë për përmirësimin e të cilës po punohet nëvazhdimësi nga të gjitha palët, Ajo gjithashtu i bëri thirrje studentëve të pranishëm qe të vlerësojnë përgatitjen e tyre, sepse duhet të shikohen si asete që kanë shumë për të ofruar në botën e biznesit.
Prof.as. dr. Mirjam Dibra si përgjegjëse e departamentit të Turizmit, të Fakultetit Ekonomik, Shkodër vuri theksin në rëndësinë e punës së vazhdueshme nga të gjithë institucionet në drejtim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm duke u ndalur në rëndësinë e formimit të personelit të kualifikuar nga IAL-të në Shqipëri. Gjithashtu bëri një panoramë të përvojës të degës së Turizmit në Universitetin e Shkodrës për bashkërendimin dhe bashkëpunimin me bizneset vendase me qëllim nxjerrjen në treg të specialistëve të mirëfilltë në fushën e turizmit.
Takimi ngjalli interes dhe diskutime tek të pranishmit në sallë.