Ditën e hënë, më 17.10. 2022, në auditorin A1, u zhvillua ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2022-2023.
Të pranishëm ishin rektorja e Universitetit të Shkodrës , prof.dr. Suzana Golemi, zv/rektorja prof.as.dr. Paulina Guli, zv/rektorja e Marrëdhënieve me jashtë prof.dr. Rajmonda Këçira, dekanë, zv/dekanë, pedagogë e studentë.
Prof.dr.Suzana Golemi, në fjalën e saj përshëndetëse, uroi të gjithë studentët që i janë bashkuar për herë të parë Universitetit të Shkodrës dhe i siguroi ata që kanë bërë zgjedhjen e duhur duke hedhur themelet e jetës së tyre pranë USH-së si institucioni më i rëndësishëm dhe më i madh i veriut.
Ky është një vit i veçantë për ne sepse festojnë 65-vjetorin e themelimit të Universitetit.
Në këtë përvjetor, ne vlerësojmë me përulje kontributet e brezave dhe të kolegëve të cilët i përkushtuan vite jetë dhe vazhdojnë të japin kontribut pranë universitetit tonë.
Jemi përpjekur gjithmonë për të ndërtuar një universitet modern, fleksibël dhe proaktiv që përqendrohet tërësisht tek studenti në mënyrë që ai të ndihet gjithmonë i përmbushur në të gjitha aspektet akademike.
Në Univeristetin e Shkodrës, gjatë vitit akademik 2021-2022 janë hapur këto programe studimi:
Bachelor në “Gjeografi dhe zhvillim territori”,
Specialist i lartë elektrik (program 2-vjeçar professional)
Master profesional “Mësues i artit pamor”,
Master profesional “Mësues muzike”,
Master i shkencave në “Studime të historisë dhe kulturës shqiptare” si dhe doktoratura në “Ekonomi dhe turizëm i qëndrueshëm” pranë Fakultetit Ekonomik.
Në kuadër të politikës së ndërkombëtarizimit të universitetit, për herë të parë në USH hapen programet e studimit Bachelor në “Informatikë” dhe Kimi-Biologji në gjuhën angleze.
Master profesional në “Zhvillim programesh të avancuara” (diplomë e përbashkët) e studimeve të ciklit të dytë në Universitetin politeknik delle Marche në Ancona, Itali.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të falenderoj stafin akademik të USH-së që me punën dhe përkushtimin e tyre maksimal kanë marrë të gjitha masat për të bërë të mundur zhvillimin cilësor të procesit mësimor në këtë vit akademik.
Prova më e mirë e cilësisë dhe e suksesit të këtij universiteti janë studentët tanë të diplomuar përgjatë viteve, të cilët kontribuojnë në institucione prestigjioze, si edhe ata studentë të rinj që vendosin çdo vit, të bëhen pjesë e projektit tonë ambicioz.
Ju uroj suksese në këtë vit të ri akademik!
Ceremonia u përshëndet gjithashtu nga studentë ekselentë si dhe nga studentë që ulen për herë të parë në auditorët e Universitetit tonë.