Klinika e Ligjit

 

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Fakulteti i Drejtësisë

Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Nr.1890 prot., datë 14.06.2021, ndërmjet Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe LevizAlbania është themeluar dhe ushtron funksionet e veta Klinika e Ligjit pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.Projekti “Klinika e Ligjit “USH”, mundësuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, me financim të Lëviz Albania, synon të ofrojë ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike, duke ofruar ndihmë ligjore parësore dhe dytësore. Zyra e Klinikës Ligjore është vendi ku priten qytetarët nga studentët dhe juristi/avokati.

 

Objektivi kryesor i Klinikës Ligjore është ofrimi i një kontributi në formën e ndihmës ligjore falas ndaj grupeve të shoqërisë apo individëve, të cilët nuk arrijnë t’i përdorin apo të përfitojnë nga të drejtat dhe liritë të parashikuara me ligj. Klinika Ligjore synon të ndikojë në edukimin e komuniteteve të marxhinalizuara në lidhje me të drejtat e tyre duke u shndërruar në mjet për ndryshim shoqëror dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut si edhe edukimin e studentëve në kuadër të avokatisë në interesin publik.

 

Objektivat e përgjithshme të Klinikës Ligjore

1. Dhënia e ndihmës juridike parësore dhe dytësore për aktorët e ndryshimit në fushat mjedisit, shëndetësisë, të drejtës së konsumatorit, etj;

2. Rritja e presionit publik nëpërmjet nxitjes së llogaridhënies në lidhje me shërbimet e ofruara nga pushteti vendor. 

 

Objektivat specifike të Klinikës Ligjore

1. Të ofrojë shërbime juridike për grupet sociale dhe individët të cilët nuk arrijnë t’i përdorin apo të përfitojnë nga të drejtat dhe liritë e njohura me ligj;

  • Llojet e shërbimeve juridike që ofrohen: Këshillim ligjor, përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën publike, përfaqësimin përpara organeve administrative, përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën dhe përfaqësimin përpara gjykatës në çështjet administrative.
  • Fushat kryesore ku do të ofrohet ndihma

2. Të sigurojë ndihmë ligjore me cilësi të lartë për qytetarët që paraqiten pranë Klinikës;

3. Të pasurojë studentët me përvojë praktike ligjore;

4. Të aftësojë studentët në hartimin e akteve procedurale administrative/gjyësore;

5. Të ndihmojë studentët të shohin mënyrat dhe mundësitë ku ata të mund të përdorin aftësitë e tyre ligjore për të promovuar drejtësinë dhe interesin publik;

6. T’ju ofrojë studentëve mundësinë për të menduar dhe për të praktikuar zgjidhjen e problemeve ligjore;

 

Objektivat specifike lidhur me edukimin e studentëve.Gjatë dhe pas pjesëmarrjes në Klinikën Ligjore studentët do të jenë në gjendje të:

1. Shpjegojnë se si funksionon ligji në praktikë;

2. Identifikojnë parimet themelore dhe vlerat e çështjeve të ndryshme ligjore;

3. Zhvillojnë aftësi dhe teknika ligjore dhe t’i aplikojnë ato; 4. Mësojnë të hartojnë dokumente ligjore të sakta dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët

Klinika e Ligjit sapo ka krijuar grupin nga 12 studentë që do të zhvillojnë praktikën pranë saj.

 

Adresa e Klinikës së Ligjit në USH :

Godina e Rektoratit, Kati I

Sheshi 2 Prilli, Rruga Studenti 24,

Shkodër, Shqipëri

 

Personat e kontaktit

Prof as. Dr. Irma Baraku

Msc. Doriana Uldedaj