Seminari ndërkombëtar



12-13 Dhjetor 2024

 

AXHENDA

 

 

Seminari ndërkombëtar "Shkodra në Shekuj" ka qenë një forum thelbësor për studimin dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës.  
 

Shkodra ka luajtur një rol kyç në historinë dhe kulturën e Shqipërisë, si dhe në atë të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ky seminar, prej vitit 1993, ka mbledhur në punimet e tij një gamë të gjerë studiuesish dhe akademikësh të shquar nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe më gjerë, duke ofruar një platformë të pasur me diskutime ndërdisiplinore për zhvillimet e jetës politike, ekonomike, historike, letrare, gjuhësore e kulturore të Shkodrës në periudha të ndryshme historike, duke filluar nga antikiteti e deri në kohën e sotme.  
 

Mendojmë, se rikthimi i këtij Seminari paraqet interes të vazhdueshëm, jo vetëm për analizën e thelluar të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shkodrës, por edhe për promovimin e saj si një destinacion i rëndësishëm në kontekstin e zhvillimit të turizmit kulturor dhe historik mbarëkombëtar. Kjo nismë do të shërbejë, jo vetëm për të forcuar dialogun akademik, por edhe për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e transmetimin e mbarështruar te trashëgimisë së qytetit ndër brezat e ardhshëm. 

 

QËLLIMI DHE OBJEKTIVAT E SEMINARIT

Seminari "Shkodra në shekuj" synon të krijojë një platformë ndërdisiplinore për të diskutuar dhe eksploruar trashëgiminë kulturore të rajonit të Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë. Qëllimi kryesor është të ofrojë një analizë gjithëpërfshirëse mbi rolin e këtij rajoni në formësimin e identitetit kombëtar dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik, shoqëror, turistik dhe kulturor. 

Qëllimi kryesor i Seminarit 
 

Seminari synon: 

  • të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shkodrës dhe Veriut për identitetin kombëtar shqiptar. 

  • të nxisë ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, përmes studimeve dhe projekteve të reja ndërdisiplinore, që do të promovojnë ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe jomateriale për brezat e ardhshëm. 

  • të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe turizmin kulturor, duke ndihmuar në identifikimin e strategjive për zhvillimin e rajonit përmes integrimit të trashëgimisë kulturore në politikat turistike dhe ekonomike. 

  • të krijojë një platformë për dialog ndërdisiplinor midis studiuesve dhe institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke prezantuar kështu një mundësi konkrete dhe të hapur në bashkëpunimin për studime të avancuara në albanologji, histori, arkeologji, art dhe kulturë. 

 

OBJEKTIVAT SPECIFIKE TË SEMINARIT: 

 

  • Albanologjia dhe trashëgimia gjuhësore 

Promovimi i vlerës së studimeve albanologjike në fushë të gjuhës dhe kulturës popullore të Veriut. Diskutimi mbi ndikimin e nëndialekteve e të folmeve veriore, pasuria e tyre shprehëse. Ndihmesa e albanologëve të shquar në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe folklorit të Veriut. Kjo përfshin analiza mbi këngët epike, legjendat dhe tregimet gojore. 

 

  • Historia dhe trashëgimia historike 

Zgjerimi i studimeve mbi rolin e Shkodrës dhe Veriut në periudha të ndryshme historike, përfshirë periudhat ilire, romake, bizantine dhe osmane. Seminari do të përqendrohet në rolin e Shkodrës, si një qendër politike dhe kulturore. Prezantimi i figurave të rëndësishme historike, dhe përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë historike, përmes veprimtarive dhe dokumenteve historike. 

 

  • Arkeologjia dhe zbulimet historike 

Evidentimi i zbulimeve arkeologjike, që ndihmojnë në ndriçimin e periudhave të hershme të historisë së rajonit dhe promovimi i ruajtjes së tyre përmes institucioneve lokale dhe ndërkombëtare. Diskutim mbi gjetjet arkeologjike më të fundit në Shkodër dhe përreth, përfshirë zbulimet ilire, romake dhe bizantine, dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e turizmit kulturor e historik. 

 

  •  Turizmi kulturor dhe historik 

Promovimi i zhvillimit të turizmit kulturor dhe historik në Shkodër dhe Veriun e Shqipërisë, duke ndihmuar në tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj përmes rivlerësimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Mënyrat për të shfrytëzuar trashëgiminë kulturore dhe natyrore në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, përfshirë promovimin e turizmit ekologjik dhe kulturor, që respekton dhe pasuron burimet e rajonit. 

 

  • Ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm 

Mbështetja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të rajonit përmes integrimit të politikave ekonomike, që favorizojnë zhvillimin rural dhe ruajtjen e burimeve natyrore dhe kulturore. Diskutim mbi mundësitë për përmirësimin e ekonomisë locale, përmes nismave të gjelbra dhe politikave që mbështesin zhvillimin rural, duke përfshirë projektet për mbështetjen e sipërmarrësve lokalë dhe prezantimin e inovacionit ekonomik. 

 

  • Arti, kultura dhe sporti 

Nxjerrja në pah e kontributit të artistëve dhe institucioneve kulturore të Shkodrës dhe Veriut të vendit tonë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtarenë fushë të të artit dhe kulturës, duke përfshirë pikturën, muzikën, letërsinë, fotografinë e sportet e ndryshme. 

  

  • Biodiversiteti dhe ruajtja mjedisore 

Rëndësia e biodiversitetit në Shkodër dhe Veriun e Shqipërisë, duke theksuar trashëgiminë natyrore të pasur, që ndihmon, si në ekosistemin local,  ashtu edhe atë kombëtar e global për mbrojtjen e mjedisit. Diskutimi do të fokusohet në rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit në rajon, duke përfshirë speciet endemike, përpjekjet për konservim dhe ndikimin e biodiversitetit në turizmin e qëndrueshëm dhe ekonominë lokale. Ky seksion mund të eksplorojë gjithashtu lidhjen midis biodiversitetit dhe praktikave tradicionale në rajon. 

 

  • Shkencat mjekësore dhe studimet shëndetësore 

 Kontributet historike dhe bashkëkohore të shkencave mjekësore në rajon, përfshirë praktikat mjekësore tradicionale dhe iniciativat moderne shëndetësore. Do të trajtohet zhvillimi i kujdesit shëndetësor në Shkodër përgjatë historisë dhe personalitet shkodrane, si dhe ndihmesat e tyre në fushën e mjekësisë në rang kombëtar e më gjerë. 

 

  • Drejtësia dhe ligji 

 Në seksionin e drejtësisë mendojmë, se fokusi mund të përqendrohet në realitetet e ndryshme ligjore që ka kaluar Shkodra dhe trevat përreth saj në periudha të ndryshme historike, duke përfshirë statutet e kanunet,  mbi të cilat është organizuar jeta social-juridike e kësaj treve; si dhe personalitete shkodrane në fushën e drejtësisë. 

 

Referatet mund të jenë në: shqip, anglisht  

 


 

Important Dates:

Afati i fundit për dorëzimin e Abstrakteve

28 Tetor 2024

Dorëzimi i punimeve të plota për publikim

Mars 2025

Ditët e konferencës

12-13 dhjetor 2024

Place

Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi"

 

Abstraktet e punimeve duhet të dërgohen në adresën: zamira.shkreli@unishk.edu.al

Pjesëmarrja në konferencë është pa pagesë.  

Gjuha e konferencës: shqip, anglisht