Ne s’do të reshtim së kërkuari
Dhe fundi i gjithë kërkimeve tona
Me mbërritë është aty ku u nisëm
E me njoftë vendin për të parën herë.
(T. S. Eliot: “Katër kuartete”)
Jo rastësisht e nisa me citimin e mësipërm përshëndetjen time si rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Universiteti ynë është ndër institucionet më me tradita në Republikën e Shqipërisë. Ai e nisi veprimtarinë akademike dhe shkencore në fillimet e tij si Institut i Lartë Pedagogjik në vitin 1957, në një qytet si Shkodra, e cila njihet në mbarë vendin për traditat e hershme në fushën e arsimit dhe të kulturës.
Universiteti i Shkodrës në dekadat e historisë së tij ka përcjellë ngjarje dhe data të rëndësishme. Vitet e fundit, së bashku me universitetet e tjera të vendit, ai ka përjetuar ndryshime me të vërtetë të mëdha dhe të pakthyeshme si rezultat i reformave sociale, ekonomike dhe kulturore të ndërmarra në të gjithë vendin.
Si rektor i sapozgjedhur i këtij Universiteti kam marrë përgjegjësinë prej trupës akademike për ta parë me optimizëm ardhmërinë. Për studentët dhe gjithë stafin kam bindjen se do të kem përkujdesin e duhur. Shpreh gatishmërinë për ta vënë kërkimin shkencor në shërbim të komunitetit. Të gjithë ne duhet ta shohim ndryshe të sotmen dhe të ardhmen për vatrën më të rëndësishme të arsimit të lartë në veri të vendit. Sot më shumë se kurrë shoqëria jonë ka nevojë për zëra kompetentë dhe protagonistë kurajozë, specialistë të fushave që dinë të ecin si profesionistë, mbi këto të mira të përbashkëta që janë të të gjithëve dhe për të gjithë ne.
Në një kontekst tjetër kohor, zgjedhja mund të kishte të tjera perspektiva, të tjera motivime, por njeriu duhet t’i ngjajë kohës e aq më tepër një institucion i arsimit të lartë, i cili duhet të ketë në fokus natyrshmërinë, vazhdimësinë dhe risinë. Unë kështu e kuptoj këtë zgjedhjen time, pas një përvoje prej disa mandatesh në postin e rektorit të një universiteti tjetër.
Vendi ynë po kalon shumë sfida. Për ne sfidë e madhe është vijimësia e një jete akademike cilësore të lidhur ngushtë me tregun e punës. Koha e kërkon ruajtjen dhe reformimin e programeve të studimit, por edhe hartimin e programeve të reja. Përditësimi i programeve të lëndëve është një synim tjetër që lidhet drejtpërsëdrejti edhe me kualifikimin e trupës akademike. Ndërsa qëllimi më madhor është ruajtja dhe rritja graduale e numrit të studentëve.
“Individi është tmerrësisht i vetmuar! ” – kjo thirrje përmban “ankthin” e shprehur në veprat e filozofëve, artistëve dhe shkrimtarëve më në zë të Evropës që në fillim të shekullit XX. Situatat që ka kaluar dhe po kalon njerëzimi e bëjnë akoma aktuale këtë fjali thirrmore. Por kjo nuk mund të jetë një gjendje normale. Në këtë përballje të njeriut, universiteti ka një përmasë të dyfishtë. Ai është i përfshirë dhe i sfiduar. Nga njëra anë duhet të përgatitë cilësisht studentët për një treg global, që bëhet gjithnjë e më i madh e më sfidues, nga ana tjetër duhet të njomë dhe të mbajë gjallë njerëzoren, si dhe identitetin tonë të patjetërsueshëm.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka një traditë të gjatë, por në të njëjtën kohë ai ka synuar cilësinë dhe shumëllojshmërinë e programeve të studimit. Është investuar në metoda të reja mësimdhënieje, ka bërë përpjekje për të integruar gjithnjë e më shumë punën teorike me atë praktike, duke afruar studentin me profesionin, duke eksploruar e mundësuar rrugëtime të reja për të kapërcyer kufijtë.
USH-ja është e përfshirë në projekte të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Studentët dhe pedagogët tanë e kanë kuptuar se duhet të punojnë me zell e sakrifica, për të ndërtuar një të ardhme. Duhet reformuar mënyra e drejtimit të burimeve njerëzore për lidhjen e ballafaqimin e universitetin me botën. Kurrë më tepër se sot nuk e kemi provuar peshën e vërtetë të globalizmit. Ne e dimë se këto përpjekje duhet të vazhdojnë e të përsosen, që ta bëjmë universitetin bërthamë aktive të zhvillimit rajonal.
Ne synojmë të shtojmë përpjekjet për t’i ofruar shoqërisë ecurinë pozitive të punës sonë, por në të njëjtën kohë tentojmë të zgjojmë një angazhim dhe një përfshirje të përgjegjshme e profesionale nga të gjithë. Vetëm përmes shtigjeve të dijes do t’i bashkohemi rrugës evropiane të përparimit. “Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue, e zemrën ta forcon”. Ky varg nga poezia “Qëndresa” e Luigj Gurakuqit, emri i të cilit na nderon, le të jetë lajmotivi i duhur.
Si i zgjedhuri juaj, kam bindjen se përvoja e krijuar ndër vite në arsimin e lartë do të ketë një rezultat pozitiv. Një rektorat, si një head office, që ka për objektiva kryesore, shtimin e numrit të studentëve dhe cilësinë e diplomës.
Po i rikthehem edhe njëherë perifrazimit të vargjeve të nobelistit anglez T.S. ELIOT, tek “Katër kuartetet”:
Ne s’do të reshtim së kërkuari
E fundi i gjithë kërkimeve tona
Me mbërritë është aty ku u nisëm
E vendin me zbulue për herë të parë.
Fjalët e urimit, si një fije drite, që përndrit për të kuptuar se sa mirësi shpërndajnë. Le ta tejçojmë fjalën, jo nëpërmjet përqafimit a shtrëngimit të duarve, por nëpërmjet dritës së syrit...
Na qoftë një vit i mbarë!
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Shtator, 2024