Artan Haxhi, u lind në qytetin e Shkodrës, më 2 gusht 1962. Më 1986 përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Për dy vjet (1986-1988) punoi mësues në Breglumi, Dukagjin. Nga viti 1988 e në vijim është pedagog i gjuhës shqipe në Departamentin e Gjuhësisë, në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 2016 është anëtar i Qendrës së Studimeve Gjuhësore. Ka dhënë fillimisht disiplinën “Stilistikë gjuhësore”, “Gramatikë historike” e “Morfologji e gjuhës shqipe”, kurse tani është titullar i lëndëve “Histori e gjuhës së shkruar shqipe”, “Elemente të lëvrimit të shqipes” dhe “Sociolinguistikë”. Që nga viti 2016 si pedagog i ftuar mbulon lëndët “Gjuhë shqipe I” (Fonetikë e morfologji) dhe “Gjuhë shqipe II” (Sintaksë) në programin e studimit Për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe (Studijski program za obrazovanje učitelja na albanskom jeziku), në Fakultetin e Filozofisë, Universiteti i Malit të Zi. Në vitin 1995 fitoi gradën shkencore “Doktor”, më 1999 mori titullin “Profesor i asociuar”, kurse më 2003 titullin “Profesor”. Për shumë vite ka kryer detyra drejtuese, si: drejtor departamenti (1993-1995), zëvendësrektor (1993-2004), rektor (2008-2016), drejtor i Institutit të Studimeve Albanologjike (2016-2020) dhe nga viti 2020 është dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore. Në periudhën 1993-2004 dhe 2008 – sot ka qenë anëtar i Senatit akademik të USH dhe për tetë vite kryetar i tij (2008 – 2016). Gjithashtu ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Buletini shkencor” i Universitetit të Shkodrës, sekretar shkencor, kryeredaktor dhe drejtor i saj. Ka publikuar 79 artikuj në revista shkencore brenda e jashtë vendit, si dhe ka prezantuar 125 punime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai është autor apo bashkautor i 1 teksti për shkollat e mesme dhe i 2 teksteve për shkollat 9- vjeçare (në Mal të Zi); i 2 teksteve universitare dhe i 6 monografive.