Dr. Isida Hoxha ka nisur veprimtarinë akademike në vitin 2011 pranë Departamentit të Letërsisë, seksioni Gazetari-Komunikim, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ka eksperiencë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në fushën e studimeve mediatike dhe komunikimit dhe është titullare e lëndëve Media dhe politika, Marrëdhënie me publikun dhe Etika në media, duke kontribuar ndër vite edhe në mësimdhënien e lëndëve të tjera në këtë fushë.
Fusha e kërkimit përfshin analizën e diskursit mediatik, studimin e zhvillimit historik të shtypit në Shkodër dhe ndërveprimin mes medias dhe politikës në kontekstin shqiptar. Është drejtuese e projektit kërkimor “Shtypi në Shkodër nga fillimet e tij deri në vitin 1920, në kohë digjitale”, i fokusuar në analizën historike, dokumentimin dhe sistematizimin e trashëgimisë së shtypit në Shkodër brenda zhvillimeve mediatike shqiptare. Prej vitit 2017 ushtron veprimtarinë si kërkuese shkencore pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Është bashkautore në monografinë ndërkombëtare Media Systems in Balkan Countries: Context and Dynamics of Changes (Peter Lang, 2023), pjesë e një studimi rajonal mbi sistemet mediatike në vendet e Ballkanit, ku analizon tranzicionin e sistemit mediatik në Shqipëri. Ka marrë pjesë në projekte shkencore kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë projektin Erasmus+ U-SIA dhe projekte me profil albanologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Ka referuar në konferenca ndërkombëtare dhe botuar në revista shkencore. Angazhimi përfshin gjithashtu ekspertizë në workshope dhe trajnime mbi çështje të medias dhe komunikimit, si dhe kontribut në organizimin e aktiviteteve shkencore, në komitete shkencore dhe në redaktimin e botimeve akademike.