• Ankesa

Dr. Ermira Alija

ermira.alija@unishk.edu.al

Dr. Ermira Alija është pedagoge dhe studiuese në fushën e studimeve letrare dhe të edukimit. Që nga viti 2009 është anëtare e stafit akademik të brendshëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ku ka mbajtur funksione akademike dhe drejtuese, përfshirë detyrën e Zëvendës Dekanes së Fakultetit të Shkencave Shoqërore (2022–2024). Prej vitit 2017 është kërkuese shkencore pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Studimet e doktoratës i ka përfunduar në vitin 2014 në fushën e Letërsisë, me një kërkim mbi letërsinë qëllimore dhe historinë e letërsisë shqipe. Veprimtaria e saj shkencore përfshin botimin e disa monografive dhe veprave studimore, ndër të cilat Albanian Literature as Metaphysics and Transcendence (2022), si dhe bashkautorësinë e monografisë Kolë Thaçi – Shtetari Poet (2024). Ajo ka botuar një numër të konsiderueshëm artikujsh në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca, simpoziume dhe tryeza shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Dr. Alija ka kontribuar gjithashtu në hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, në projekte kërkimore ndërinstitucionale dhe në veprimtari redaksionale e organizative në fushën akademike. Krahas angazhimit shkencor, ajo është përkthyese e veprave letrare për fëmijë të autores Frances Hodgson Burnett dhe autore e krijimeve letrare të botuara në periodikë kulturorë.