Dr. Laert Miraku është hulumtues në fushën e studimeve të medias, pedagog i komunikimit dhe gazetar me përvojë disavjeçare. Aktualisht punon si lektor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pranë Departamentit të Letërsisë, në programin Gazetari–Komunikim. Më parë ka ligjëruar edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin Europian të Tiranës, në programet e ciklit të dytë “Master i Shkencave”.
Ai ka përfunduar studimet Bachelor në degën Gazetari dhe “Masterin e Shkencave” në “Gazetari dhe Komunikim” në Universitetin e Tiranës, i profilizuar në Komunikim Ndërkulturor. Gradën “Doktor” në Shkencat e Komunikimit e ka fituar po në Universitetin e Tiranës.
Interesat e tij kërkimore fokusohen në sistemin mediatik shqiptar, politikat mediatike, komunikimin ndërkulturor dhe ndikimin e dixhitalizimit në përmbajtjet audiovizive. Është autor i disa artikujve shkencorë të prezantuar në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të botuar në revista shkencore, ndër të cilët: “Të ardhurat e televizioneve në fushatën zgjedhore të vitit 2017”; “Ndikimi i dixhitalizimit të televizionit publik në respektimin e diversitetit” (2019); “Programacioni i televizioneve kombëtare në ditët e festave fetare” (2019). Ai ka kontribuar gjithashtu në projekte studimore mbi analizën e ligjërimit ekstrem, përmes intervistave të thelluara dhe përpunimit dixhital të të dhënave në disa botime shkencore të Universitetit të Tiranës.
Për më shumë se një dekadë ka punuar në median vizive dhe atë online, si dhe në komunikim institucional. Në tetë media të ndryshme ka mbajtur pozicionet e redaktorit dhe kryeredaktorit. Prej vitesh angazhohet si trajnues dhe organizator aktivitetesh formuese në organizata si Caritas Albania, SHEMDK, YSIA, RIAS, ndër të tjera.