• Ankesa

Dr. Elona HASMUJAJ

elona.hasmujaj@unishk.edu.al

Është pedagoge në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që prej vitit 2011, ku aktualisht mban detyrën e Drejtueses së Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale. Ajo paralelisht ka ligjëruar në Universitetin e Tiranës, Podgoricës dhe në universitete të tjera jo-publike të vendit. Është diplomuar në vitin 2007 në “Bachelor në Psikologji”. Në vitin 2009 ka përfunduar studimet në Universitetin e Firences, Itali, në programin “Shkenca dhe Teknika të Psikologjisë Klinike dhe të Komunitetit”. Ajo ka përfunduar “Master i Shkencave në Psikologji Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh” në Universitetin e Tiranës (2011), ndërsa gradën “Doktor i Shkencave në Psikologji” e ka mbrojtur në vitin 2017 në të njëjtin universitet. Paralelisht ka punuar si psikologe, në mjedise klinike dhe ligjore, duke ofruar vlerësim psikologjik, ekspertizë dhe ndërhyrje në raste të lidhura me trauma, dhunë, mbrojtjen e fëmijëve dhe çështje familjare. Ajo është komisionere në Komisionin e Etikës dhe Gjykimit Disiplinor Profesional pranë Urdhrit të Psikologut, anëtare e Shoqatës së Psikologëve Socialë Shqiptarë dhe trajnuese pranë CSL-Shkolla e Drejtorëve në Arsimin parauniversitar, në fushën e lidershipit.

Ka marrë pjesë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në programe shkëmbimi akademik Erasmus+ në Universitetin e Madridit e të Firences. Ajo është gjithashtu pjesë e rrjetit kërkimor ndërkombëtar COST Action, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe bashkëpunimit shkencor ndërdisiplinor. Dr. Hasmujaj është autore e shumë botimeve dhe prezantimeve shkencore në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, që trajtojnë tema të shëndetit mendor, traumës, dhunës me bazë gjinore, mirëqenies psikologjike, inteligjencës artificiale, varësive dixhitale dhe zhvillimit psikosocial të të rinjve.