Dr. Brilanda Lumanaj është lektore me kohë të plotë në Departamentin e Psikologjisë dhe Punës sociale pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prej vitit 2006. Ajo u diplomua si punonjëse sociale në vitin 2002, dhe Master në Punë Sociale në 2008, pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2002, gjithashtu, ajo është diplomuar si “Juriste”, sistemi me korrespondence, në Universitetin e Shkodrës. Në vitin 2013 ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave në Punë Sociale pranë Universitetit të Tiranës në fushën e shërbimeve sociale për familjen. Ekspertiza e saj 20 vjeçare në këtë departament ka konsistuar në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe paralelisht në hartimin e programeve studimore të nivelit “Bachelor” dhe “Master”. Ajo është titullare e lëndëve “Hyrje në punë sociale”, “Puna sociale me familjen”, “Puna sociale në shëndetësi”, “Puna sociale në shkolla”, “Modele dhe shprehi të avancuara të punës/terapisë me familjen” dhe “Perspektiva gjinore në shërbime sociale”. Ndër vite ka ligjëruar edhe lëndët “Psikologji sociale” dhe “Psikologji ligjore”. Që nga hapja e programit dhe në vazhdim ajo koordinon programin e masterit profesional “Shërbimet sociale” dhe prej vitesh kontribuon si pjesë e grupit të vlerësimit të brendshëm të cilësisë të programeve të studimit që ofron departamenti. Ajo është angazhuar gjatë periudhës 2019-2021 si lektore me kohë të pjesshme në Universitetin e Malit të Zi, Fakulteti i Filozofisë, në programin e studimit për Arsimin e Mësuesve në Gjuhën Shqipe, ku ka ligjëruar lëndën “Metodologjia e kërkimit pedagogjik”. Ka mbajtur postin e zv.dekanes në vitet 2014-2016. Ka marrë pjesë në projekte shkencore, konferenca, publikime kombëtare e ndërkombëtare, recensuese nga viti 2015 e në vazhdim pranë ESJ (European Scientific Journal) dhe në Buletinin “Seria e Shkencave të Edukimit”, Universiteti i Shkodrës , si dhe ka kontribuar si anëtare e bordeve shkencore dhe organizative në konferenca shkencore. Kurrikulumi i saj përfshin edhe përkthime të botimeve ndërkombëtare të lidhura me menaxhimin e rastit dhe praktikës së punës me grupe. Fushat e saj të interesit dhe kërkimit shkencor janë çështje të shërbimeve sociale për familjet, mbrojtja e fëmijëve, grupet vulnerabël, problemet sociale, vlerësimi i programeve dhe politikave sociale, çështje të zhvillimit të komunitetit dhe profesionit, etj. Ajo është anëtare e Urdhrit të Punonjësve Socialë të Shqipërisë. Gjithashtu, ka përvojë në praktikën direkte si punonjëse sociale dhe si trajnere për çështje të fokusuara në prindërimin pozitiv, mbrojtjen e fëmijëve, përkatësinë gjinore, aspekte të bashkëpunimit midis mësuesve të arsimit special dhe prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta, shërbimet e kujdestarëve socialë që punojnë në fushën e shëndetit mendor, menaxhimin e rastit dhe punën në grupe.