• Ankesa

Ergys Pirani është pedagog në Departamentin e Arteve, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, që prej vitit 2015.

Ai ka eksperiencë në mësimdhënie në fushën e kompozicionit dhe në lëndë karakterizuese muzikore, si: Solfezh, Instrumentacion/Orkestracion dhe Shkrim në PC.

Në vitet 2010–2016 ka qenë asistent-pedagog në klasën e kompozicionit, pedagog me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve Tiranë, ndërsa në periudhën 2013–2015 ka ushtruar detyrën e pedagogut pranë Akademisë së Arteve në Shkodër.

Aktiviteti i tij artistik dhe shkencor përfshin pjesëmarrje në koncerte, drejtim projektesh artistike, angazhim si koordinator dhe konsulent artistik, si dhe botime veprash muzikore, pjesëmarrje në konferenca dhe publikime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në vitet 2014–2015 ka mbajtur detyrën e drejtuesit të Departamentit të Kompozicionit, Dirigjimit dhe Pedagogjisë Muzikore pranë Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve Shkodër, ndërsa në vitet 2015–2019 funksionin e drejtuesit të Departamentit të Arteve pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Gjatë kësaj kohe dhe në vijim, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional dhe akademik, përfshirë hartimin e programeve të studimit “Pedagogji muzikore” (2015) dhe Master Profesional “Mësues muzike” (2022).

Prej vitit 2020 mban detyrën e kryetarit të Komisionit të Garantimit dhe Sigurimit të Cilësisë pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, si dhe ka qenë anëtar i një sërë komisionesh institucionale.

Interesat e tij kërkimore dhe artistike fokusohen në krijimtarinë muzikore në zhanre të ndryshme, si dhe në analizën dhe metodologjinë e zhvillimeve të krijimtarisë bashkëkohore.