THIRRJE PËR BASHKËPUNIM
Në kuadër të projektit Erasmus+ CBHE U2SID - University to Society Collaborations for Inclusive Digital Transformation in the Western Balkans, është kënaqësi t’ju ftojmë të merrni pjesë në thirrjen për bashkëpunim:
“Paraqitja e sfida sociale dhe të biznesit për zgjidhje digjitale.”
Duke përmbushur misionin e tretë të universitetit, Qendra për Transformim Digjital (DTC) synon të përfshijë universitetin si kontribues kryesor në zhvillimin e shoqërisë dhe rritjen rajonale, duke ofruar një platformë për kërkime të thelluara dhe mentorim për studentët, ndërsa fuqizon bashkëpunimin me palët e jashtme për inovacion dhe zhvillim të komunitetit.
Përfitimet kryesore të pjesëmarrjes në këtë thirrje për bashkëpunim përfshijnë:
Shfrytëzimi i ekspertizës akademike: Pjesëmarrësit do të kenë akses në ekspertizën e stafit akademik dhe studentëve tanë, me njohuri në teknologji të reja si inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave, zhvillimi i softuerit dhe marketingu digjital.
Zgjidhje të përshtatura për nevojat e biznesit: Me sfida të paraqitura nga pjesëmarrësit, ekipet ndërdisiplinore do të zhvillojnë zgjidhje digjitale që i përshtaten objektivave strategjike të kompanisë suaj, duke ofruar qasje inovative dhe të zbatueshme.
Inovacion me kosto të ulët: DTC ofron një mundësi për të përfituar nga hulumtimi dhe metodologjitë praktike me një kosto të ulët, duke kursyer nga tarifat e larta të zakonshme të konsulencës.
Rritja e vizibilitetit dhe zgjerimi i rrjetit: Duke marrë pjesë në Forum, biznesi juaj pozicionohet si një organizatë novatore, ndërsa keni mundësinë të lidhni kontakte me liderë të industrisë, akademikë, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kontribut në zhvillimin rajonal dhe shoqëror: Nëpërmjet bashkëpunimit me DTC, biznesi juaj do të ndihmojë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit dhe komunitetit, me zgjidhje të përfshira dhe të qëndrueshme për sfida sociale dhe ekonomike.
Në këtë thirrje, mirëpriten sfida të ndryshme, si përmirësimi i efikasitetit operativ, strategjitë e marketingut digjital, ose eksplorimi i aplikacioneve të teknologjive të reja. Çdo sfidë duhet të jetë e qartë dhe të ofrojë potencial për zgjidhje digjitale të zhvilluara në bashkëpunim me universitetin.
Për të paraqitur sfidat tuaja të biznesit, ju ftojmë të plotësoni formularin e aplikimit dhe ta dërgoni brenda datës 15 nëntor 2024 në postën elektronike erjola.barbullushi@unishk.edu.al ose ta dorëzoni pranë Fakultetit Ekonomik tek Dr. Erjola Barbullushi.
Në pritje të një bashkëpunimi frytdhënës, që synon krijimin e zgjidhjeve transformuese për suksesin e biznesit tuaj dhe zhvillimin e komunitetit.
Për më shumë informacione, ju lutemi na kontaktoni.
Dr. Erjola Barbullushi