Bazuar në Vendimet 2 dhe 3, datë 22.04.2026, të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, për shpalljen e dy vendeve vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe një vendi vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, në zbatim të pikës 2, të nenit 37 dhe pikës 2 të nenit 135, të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi’ shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit nga anëtarët e personelit akademik të Fakultetit të Drejtësisë në USH, për dy vende vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe një vendi vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kandidatët e interesuar që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 36, pika 2, dhe nenin 134, pika 2, të Ligjit nr. 115/2016 ”Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, duhet që brenda datës 13.05.2026, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë. Një kopje e kërkesës, së bashku me dokumentacionin shoqërues, i dërgohet, rektorit të USH-së.
1. Kandidatët e interesuar për pozicionet e anëtarëve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë duhet të plotësojnë kushtet si më poshtë:
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të USH-së;
ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
ç/1) të mos ketë masë disiplinore në fuqi, të mos jetë shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore, në rastin e ish-magjistratëve të ketë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose të mos ketë dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që ka qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të mos jetë skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
d) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor;
dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
2. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:
- Kopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
- jetëshkrimin e përditësuar;
- një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
- formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
- një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
- një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimit sekret.
- Formularin e vetëdeklarimit bashkëlidhur këtij njoftimi ku të deklarojë se kandidati nuk është skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
- Vërtetim nga çdo punëdhënës i mëparshëm që provon se kandidati nuk është shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore;
- Deklaratën e konfliktit të interesit, në lidhje me nenin 134, pika 2 gërma d), ë), g) dhe gj) sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi;
- Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
- Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
- Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
- çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore, të parashikuara në nenin 36 dhe 134 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar.
3. Pedagogët e interesuar brenda 15 ditëve nga shprehja e interesit duhet të dorëzojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private për kontrollin e pasurive të kandidatëve për pozicione të ndryshme në institucionet e drejtësisë në përputhje me nenin 3/1 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe formularin e vetëdeklarimit për zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
4. Jo më vonë se 15 ditë nga shpallja e thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit, kandidatët e interesuar e dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit të kontrollit të figurës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar sipas kërkesave të ligjit për informacionin e klasifikuar pranë këtij institucioni.
5. Fakulteti i Drejtësisë në USH, përzgjedh jo më shumë se 3 kandidatë nga radhët e personelit akademik me kohë të plotë përkatësisht për secilin organ ( KLGJ dhe KLP), me kushtin që të mos jenë propozuar nga radhët e avokatëve ose nga radhët e organizatave të shoqërisë civile.
6. Dekani i fakultetit të drejtësisë brenda 15 ditëve nga dorëzimi i shprehjeve të interesit dhe dokumentacionit shoqërues mbledh të dhëna për çdo person të interesuar nga Prokuroria e Përgjithshme, gjykata, administrata tatimore, autoritetet doganore, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit, si dhe nga çdo autoritet disiplinor dhe person fizik ose juridik që kanë të dhëna të vlefshme për qëllime verifikimi
- Secili prej anëtarëve të personelit akademik të Fakultetit të Drejtësisë në USH, që plotëson kushtet e përmendura në pikën 2, të nënit 36 dhe pikën 2, të nenit 134 të Ligjit, dhe që siguron mbështetjen e së paku 3 pedagogëve nga personeli akademik me të drejtë vote, ka të drejtë të kandidojë.
- Rektori i USH -së miraton formularin tip për dhënien e mbështetjes kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Formulari tip nënshkruhet nga anëtari i personelit akademik me të drejtë vote që vendos të mbështesë kandidatin.
- Të gjithë anëtarët e personelit akademik me kohë të plotë përfshirë edhe personelin e kategorisë “asistent lektor” pranë FD-së, kanë të drejtë të mbështesin kandidatë dhe të votojnë për përzgjedhjen e kandidatëve.
- Anëtari i personelit akademik me të drejtë vote mund të mbështesë vetëm një kandidat.
- Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi” dhe i dërgohet secilit prej pedagogëve me kohë të plotë të Fakultetit të Drejtësisë, në adresën elektronike.
Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të USH-së, info@unishk.edu.al , si dhe në adresën postare Rektorati i Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, Sheshi 2 Prilli.
Dokumentacioni i paraqitur nga kandidati duhet të jetë në gjuhën shqipe, origjinal ose kopje e noterizuar e tij.
Bashkëngjitur formularët:
2026042407074255776._Formular_Vetedeklarimi_skualifikim_ILDKPKI_anetar_KLgj__1_.docx 2026042407081423763._FORMULAR-APLIKIMI-PER-INFORMIM-PER-ZYRTARET-PERPARA-EMERIMIT-NGRITJES-NE-DETYRE-ZGJEDHJES-NE-POSTE-TE-LARTA-PROCESIN-E-VETI.pdf Formular-deklarimi-konflikt-interesi-anetar-KLP_USH.docx Formulari-Tip_USH-ok.doc Formulari_Per_garantimin_e_integritetit_.docx formular_deklarimi_konflikti_i_interesave_KLGJ_-USH.docx formular_deklarimi_konflikti_i_interesave_KLGJ_-USH__1_.docx