Ke një ide biznesi? Jepi mundësinë të zhvillohet!
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të projektit Young Entrepreneurs Western Balkans – YEB, të udhëhequr nga Universiteti Politeknik i Torinos (Politecnico di Torino) dhe të bashkëfinancuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë (MAECI) dhe Universiteti Politeknik i Torinos, fton studentët dhe të rinjtë sipërmarrës, individualisht ose në ekip, të dërgojnë idetë e tyre për të marrë pjesë në aktivitetin përfundimtar Pitch Session.
Mirëpresim ide në fazë fillestare dhe projekte sipërmarrëse në zhvillim, përfshirë zgjidhje që adresojnë nevojat e komunitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Pse të aplikoni?
Pjesëmarrësit në aktivitet do të kenë mundësi të:
- Marrin certifikatë pjesëmarrjeje;
- Prezantojnë idenë përpara një komisioni vlerësues dhe të marrin komente praktike për përmirësimin e saj;
- Konkurrojnë për renditjen ndër idetë më të mira;
- Krijojnë kontakte me sipërmarrës, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve;
- Fitojnë dukshmëri për projektin e tyre: idetë më të vlerësuara mund të propozohen për prezantim në aktivitete të tjera pitch në Shqipëri dhe Itali, në bashkëpunim me partnerët dhe sipas mundësive të disponueshme.
Si të aplikoni?
Dërgoni një përshkrim të shkurtër të idesë, deri në dy faqe, duke përfshirë:
- Titullin dhe përshkrimin e idesë
- Problemin që zgjidh dhe klientët ose përfituesit e synuar
- Produktin ose shërbimin që do të ofroni dhe mënyrën si parashikoni të gjeneroni të ardhura
- Fazën aktuale të zhvillimit
- Emrin e aplikantit ose anëtarëve të ekipit dhe kontaktet.
Adresa e aplikimit: roland.dodani@unishk.edu.al
Subjekti: YEB – Aplikim për ide biznesi
Afati i dërgimit: 20 nëntor 2026
Idetë do të vlerësohen sipas qartësisë, inovacionit, realizueshmërisë, qëndrueshmërisë ekonomike dhe ndikimit të mundshëm në komunitet.
Idetë e përzgjedhura do të prezantohen me 25 dhe 26 nëntor 2026. Ora dhe vendi dhe udhëzimet për prezantimin do t’u njoftohen aplikantëve të përzgjedhur nëpërmjet emailit.
Nuk është e nevojshme të keni një biznes të regjistruar apo një plan biznesi të përfunduar. Mjafton një ide e qartë dhe dëshira për ta zhvilluar!
Apliko dhe bëhu pjesë e YEB!