Rregullat e pranimit
1. Në konkurrimin për Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2025, mund të marrë pjesë çdo student shqiptar i diplomuar gjatë periudhës tetor 2024 – tetor 2025, në një nga çështjet e ekonomiksit monetar e ndërkombëtar stabilitetit financiar, çështje të integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit në Evropë, politika monetare dhe politikat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë, politika fiskale dhe roli i tyre në ekonomi, sistemi bankar shqiptar, sjelljet e individëve dhe firmave në Shqipëri, si dhe aspekte të ekonomisë në përgjithësi.
2. Temat duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe ose në atë angleze.
3. Afati i fundit i dorëzimit të temave është data 31 tetor 2025.
4. Studentët që dëshirojnë të aplikojnë për marrjen e Çmimit duhet të paraqesin në formë elektronike1 (pdf) në adresën e e-mail-it public@bankofalbania.org, dokumentet e mëposhtme:
§ Një letër ku shprehet interesimi i studentit për të konkurruar për Çmimin në fjalë.
§ Curriculum Vitae;
§ Abstraktin dhe një përmbledhje të shkurtër të gjetjeve kryesore;
§ Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës;
§ Version të plotë të temës së diplomës.
5. Tema e dorëzuar duhet të plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome universitare, diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).
6. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë apo ata që kanë punuar më parë në Bankën e Shqipërisë, janë të përjashtuar nga çfarëdolloj pjesëmarrjeje në këtë aktivitet.
7. Komisioni i Vlerësimit të punimeve/temave përzgjedh temat fituese. Në rast se njëri nga anëtarët e komisionit është edhe udhëheqës i një teme konkurruese, ky anëtar nuk mund të votojë për këtë temë. Komisioni i Vlerësimit vendos me mirëkuptim për kandidatët që propozohen për Çmimin. Vendimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është përcaktues.
8. Faza e shikimit të punëve (temave), mbi të gjitha, do të vlerësojë cilësinë, origjinalitetin e tyre dhe rezultatet apo gjetjet kryesore.
9. Nëse tema ka fituar një çmim tjetër apo është dorëzuar për të konkurruar edhe për çmime të tjera, atëherë këto fakte duhet të shkruhen në aplikim. Gjithashtu, pjesëmarrësit duhet të njoftojnë Komisionin e Vlerësimit të Bankës së Shqipërisë nëse në temat e tyre ka pasazhe, të cilat janë publikuar më parë.
10. Nëse Komisioni i Vlerësimit arrin në përfundimin se asnjëra prej punëve të dorëzuara nuk i plotëson kriteret për të fituar Çmimin, atëherë Komisioni mund të propozojë që të mos jepet asnjë çmim apo të jepen vetëm një ose dy çmime, në vend të tre të mundshmëve.
11. Banka e Shqipërisë nuk është e detyruar të publikojë temat fituese, në formë të plotë apo të reduktuar. Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ftojë fituesit e çmimeve për të prezantuar punët e tyre; fituesit e çmimeve duhet t’i kryejnë prezantimet pa pagesë. Banka e Shqipërisë ka të drejtën të publikojë njoftime për shtyp në lidhje me shpërndarjen e çmimeve.
12. Duke dorëzuar punët, pjesëmarrësit duhet të pranojnë termat dhe kushtet e lartpërmendura. Dhënia e çmimeve nuk përfshin detyrime të tjera për Bankën e Shqipërisë.
13. Për informacione të tjera, ju lutemi kontaktoni në adresën e e-mail-it public@bankofalbania.org.