Me datë 14 prill 2023 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit nga Rektorja e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" - Prof. Dr. Suzana Golemi me përfaqësues të projektit LASPEH PLUS (Low Adriatic Species dhe Habitat PLUS). Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë përfaqësuesit e partnerëve të projektit malazez, Dragisa Damjanovic, Miliana Dabovic, Danilo Bulatovic, Danilo Popovic dhe Igor Djurovic si dhe zv. Rektore e Universitetit të Shkodrës Prof. Dr. Rajmonda Këçira.
Memorandumi i Mirëkuptimit synon të transferojë Planin e Përbashkët Strategjik të zhvilluar nga aktorët përkatës në tre vende: rajonin e Pulias, parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura të Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zona të tjera të mbrojtura të rajonit të Adriatikut Jugor.
Objektivi kryesor i memorandumit është krijimi i një rrjeti ndërmjet partnerëve të projektit dhe zonave të tjera të mbrojtura natyrore të përfshira në aktivitetet e projektit të zonës së programit me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira, shkëmbimin e të dhënave dhe metodologjive për ruajtjen më të mirë të habitateve dhe specieve të mbrojtura nga Direktivat Evropiane, si dhe për të krijuar hapësirë për bashkëpunim në thirrjet e ardhshme të Periudhës së re Programore 2021-2027 për çështje të ndërlidhura, duke pasur parasysh:
- Strategjinë Evropiane të Biodiversitetit për vitin 2030;
- Strategjinë Evropiane të Ekonomisë Blu;
- Programin e 8-të të Veprimit Mjedisor të BE-së deri në vitin 2030;
- Marrëveshjen Evropiane të Gjelbër (Planin e Veprimit "Mbrojtja e mjedisit tonë");
- Objektivat e Bashkëpunimit Territorial Evropian në nivel të BE-së;
- Karta Evropiane për Turizmin e Qëndrueshëm në Zonat e Mbrojtura (ECST);
- Strategjinë e Përbashkët Transnacionale për menaxhimin më të mirë të specieve dhe habitateve në zonat Natura 2000 zbatuar me projektin LASPEH.