Të dashur Partnerë dhe Palë të Interesuara,
Jemi të lumtur të prezantojmë F.R.I.D.A.S., një projekt ndërkombëtar novator, i bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ (KA2 Partneritete bashkëpunimi në arsimin e lartë), i cili synon të përmirësojë zbatimin praktik të të drejtave të njeriut në edukimin dhe praktikën e punës sociale. Kjo nismë bashkon 4 universitete evropiane dhe një OJQ në Itali, në një partneritet bashkëpunues që ka për qëllim promovimin e vlerave të përbashkëta të BE-së, si barazia, përfshirja, mosdiskriminimi, pjesëmarrja demokratike, si dhe nxitjen e metodave dhe qasjeve inovative të të mësuarit dhe mësimdhënies.
Përgatituni të kuptoni më shumë!
Në seksionet në vijim, do t'ju prezantojmë me qëllimet dhe aktivitetet kryesore të projektit F.R.I.D.A.S., duke ju njohur gjithashtu me partnerët që po drejtojnë aktivitetet e tij transformuese.
Sfondi
Punonjësit socialë luajnë një rol të rëndësishëm në identifikimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në avokimin që individët të gëzojnë të drejtat e tyre. Kjo përgjegjësi e rëndësishme theksohet nga organizatat ndërkombëtare si OKB-ja dhe BE-ja. Megjithatë, në shumë vende evropiane, ende vërehen mangësi të dukshme në integrimin e të drejtave të njeriut në edukimin e punonjësve socialë të ardhshëm, gjë që mund të pengojë aftësinë e tyre për të njohur dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive shkeljeve në praktikën e përditshme të tyre profesionale.
Qëllimi dhe Objektivat
Përmes projektit F.R.I.D.A.S., partneriteti angazhohet për:
- Fuqizimin e studentëve për të forcuar kompetencat e tyre në kuptimin e rolit të të drejtave të njeriut dhe ndikimit të tyre në mirëqenien, mësimin dhe aktivitetet e tyre profesionale;
- Përmirësimin e aftësive ndërdisiplinore të studentëve, si empatia, të menduarit ndryshe, puna në grup dhe reflektimi kritik;
- Përmirësimin e ndërgjegjësimit dhe aftësisë së studentëve për të identifikuar dhe trajtuar shkeljet dhe diskriminimet e të drejtave të njeriut në karrierën e tyre të ardhshme profesionale, si dhe për të luftuar paragjykimet në marrëdhëniet e tyre me përfituesit e shërbimeve;
- Nxitjen e zhvillimit profesional si për për stafin akademik dhe administrativ në kompetencat mbi të drejtat e njeriut, duke kultivuar kështu mjedise gjithëpërfshirëse për të mësuar dhe punuar;
- Inkurajimin e bashkëpunimit midis partnerëve për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së rezultateve të projektit, veçanërisht modeleve edukative të bazuara në të drejtat e njeriut dhe krijimin e një komuniteti referimi për të vendosur dhe ngritur standardet e etikës profesionale.
Hapat e Ardhshëm
Gjatë tre viteve të ardhshme (2024-2027), projekti F.R.I.D.A.S. do të ndërmarrë disa veprime drejt arritjes së objektivave të synuara. Si hap i parë, të gjitha vendet partnere (Norvegjia, Shqipëria, Italia dhe Spanja) do të kryejnë kërkime dhe do të përmbledhin raste studimore mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, diskriminimin dhe fobitë në punën sociale, duke u mbështetur në kontributet e ekspertëve të fushës dhe përvojat e drejtpërdrejta.
Secili partner do të kontribuojë me 10 raste, duke arritur në total 40 shembuj me vlerë të madhe që do të shërbejnë si bazë për materialet edukative që do të prodhohet në të ardhmen. Këto burime të vlefshme do të jenë të disponueshme për shkarkim falas në faqen tonë të internetit që pritet të lançohet së shpejti.
Koleksioni i përzgjedhur i rasteve reale do t'u ofrojë studentëve të punës sociale më shumë sesa thjesht përmbajtje akademike - do t’i sfidojë këndvështrimet e tyre dhe do të zgjerojë të kuptuarit e tyre mbi atë që përfaqëson në të vërtetë puna sociale. Duke u mbështetur në vlerat e dinjitetit njerëzor dhe lirive themelore, do t’i inkurajojë ata të mendojnë përtej kufijve të ngushtë të kujdesit individual dhe të marrin në konsideratë se si puna sociale mund të shndërrohet në një agjent të fuqishëm ndryshimi.
Hapat e tjerë të pritura të projektit përfshijnë:
- Një kornizë kompetencash për të drejtat e njeriut për punonjësit socialë të ardhshëm me qëllim integrimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike në kurrikulat ekzistuese akademike të edukimit për punën sociale në vendet partnere përmes zbatimit të qasjeve ndërdisiplinore dhe pedagogjive inovative;
- Module mësimore mbi të drejtat e njeriut dhe qasjen e bazuar në të drejtat e njeriut në kurset e trajnimit për studentët, duke u ofruar atyre mundësinë për të fituar njohuri praktike dhe teorike dhe për të kuptuar se si të drejtat e njeriut janë të lidhura ngushtë me praktikat e punës sociale;
- Krijimi i një komuniteti virtual për studentët dhe praktikuesit për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të përhapur ndërkombëtarisht një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut në punën sociale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shpërndarjen ndërkombëtare të një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut në punën sociale, duke nxitur ndryshime pozitive brenda shoqërisë dhe komuniteteve të cilave u shërbejnë.
Grupi i synuar
Projekti F.R.I.D.A.S. synon drejtpërsëdrejti studentët e punës sociale në arsimin e lartë, nga viti i dytë i studimeve deri te ata që përgatiten për disertacionin e tyre përfundimtar dhe kualifikimin si punonjës socialë të ardhshëm. Ata do të kenë akses në një pasuri burimesh që do t’i ndihmojnë të integrojnë perspektivat e të drejtave të njeriut në praktikën e tyre profesionale.
Megjithatë, përfitimet e projektit shtrihen gjithashtu edhe për punonjësit socialë në praktikë, të cilët jo vetëm që do të luajnë një rol vendimtar në formësimin e rasteve reale studimore dhe përmbajtjes didaktike në përgjithësi, por do të përfitojnë edhe njohuri të reja që mund të aplikohen në punën e tyre të përditshme me komunitetet dhe individët vulnerabël. Një nga aspektet më të vlefshme për ta do të jetë mundësia për të bashkëpunuar dhe ndarë përvoja me kolegë ndërkombëtarë përmes një komuniteti virtual.
Përtej këtyre grupeve, ndërhyrjet e F.R.I.D.A.S. të kenë një ndikim të rëndësishëm edhe të një game më të gjerë përfituesish indirektë. Si rezultat i pjesëmarrjes së tyre aktive në përgatitjen e një kornize kompetencash të përqendruar te të drejtat e njeriut dhe një sërë modulesh mësimore, pedagogët dhe personeli tjetër akademik do të adoptojnë metoda joformale dhe përvoja, duke krijuar një mjedis mësimor më gjithëpërfshirës.
Së fundi, përmes fuqizimit të kapacitetit të personelit për të ofruar shërbime efektive dhe të përgjegjshme ndaj të drejtave të njeriut përmes trajnimeve të posaçme, organizatat publike dhe private do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së përfituesve të tyre dhe të komuniteteve lokale.
Partneriteti
Partneriteti përbëhet nga katër institucione të arsimit të lartë dhe një organizatë jofitimprurëse nga Italia, Spanja, Shqipëria dhe Norvegjia, duke kombinuar ekspertizën e shëndoshë në edukimin për të drejtat e njeriut, ndërhyrjet profesionale ndërdisiplinore në punën sociale dhe zhvillimin komunitar.
Partneri koordinues
- Universiteti i Romës Tre , Departamenti i Edukimit – Itali
Partnerët
- Universiteti i Granadas, Departamenti i Punës Sociale dhe Shërbimeve Sociale - Spanjë
- Universiteti i Shkodres " Luigj Gurakuqi " , Departamenti i Psikologjisë dhe Punës Sociale - Shqipëri
- Norges Teknisk Naturvitenskapelige Universitet NTNU , Departamenti i Punës Sociale - Norvegji
- RE.DU. Rrjeti për Edukimin mbi të Drejtat e Njeriut– Itali
Partneriteti F.R.I.D.A.S. u mblodh për herë të parë në Universitetin Roma Tre në 28-29 Tetor 2024, për takimin fillestar , i cili shënoi nisjen zyrtare të udhëtimit tonë për të zhvilluar mjete konkrete që do të pajisin më mirë studentët e punës sociale për të mbrojtur dhe advokuar për të drejtat e njeriut. Takimi ishte një mundësi unike për partnerët për t'u lidhur personalisht, për të thelluar kuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një vizion të përbashkët dhe një plan pune për të realizuar objektivat e F.R.I.D.A.S.. Përmes seancave interaktive të krijimit të ekipit, ne vendosëm themelet për marrëdhënie të mira bashkëpunuese që do të drejtojnë hapat tanë të ardhshëm përpara.
Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për nisjen e diskutimeve kritike mbi fushat tematike të ndërhyrjes së projektit: partnerët filluan të formësojnë drejtimin e ndërhyrjeve tona të fokusuara te të drejtat e njeriut dhe të kryenin një vlerësim të nevojave të lidhura me kontekstin për të siguruar që puna jonë të jetë e thelluar në perspektivat kryesore të punës sociale dhe të drejtave të njeriut. Për më tepër, ne bashkë-përcaktuam qasjen tonë për selektimin dhe zhvillimin e rasteve studimore, duke siguruar që kontributet nga çdo partner të merreshin parasysh në mënyrë të duhur.
Duke u mbështetur në vrullin dhe entuziazmin e takimit fillestar, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë përparimin e parimeve të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale në punën sociale dhe të angazhohemi me palët e interesuara dhe profesionistët përkatës.
Kontaktoni
Për çdo pyetje ose për të kontribuar në kërkimin tonë me përvojën tuaj të drejtëpërdrejtë, na kontaktoni në t fridas@uniroma3.it
Mezi presim t'ju mbajmë të informuar për progresin dhe rezultatet tona.
Faleminderit për interesimin dhe mbështetjen tuaj!
Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë megjithatë vetëm ato të autorit(ve) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Ekzekutive Evropiane të Arsimit dhe Kulturës (EACEA).
As Bashkimi Evropian dhe as EACEA nuk mund të mbajnë përgjegjësi për to.