I nderuar Zotëri/Zonjë,
Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj Rekomandimin CM (2022)18 për luftimin e mashtrimit në arsim dhe memorandumin shpjegues të tij, të miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 13 korrik 2022.
Rekomandimi është rezultat i punës katërvjeçare të platformës së Këshillit të Evropës për etikën, integritetin dhe transparencën në arsim (ETINED), me qëllim që të ndihmojë në nxitjen e një qasjeje të përbashkët evropiane në këtë fushë.
Ky standard i ri ligjor është i strukturuar rreth pesë dimensioneve: parandalimi, mbrojtja, ndjekja penale, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe monitorimi. Teksti bën gjashtë rekomandime kryesore për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës:
• të promovojë arsim cilësor duke eliminuar mashtrimet në arsim;
• të mbrojë nxënësit, studentët, studiuesit dhe stafin në të gjitha nivelet e arsimit nga organizatat dhe individët e angazhuar në shitjen (dhe reklamimin) e shërbimeve mashtruese;
• të ofrojë mbështetje për zbatimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse, si dhe një kulturë të mundësive të barabarta në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët e arsimit dhe trajnimit dhe në tranzicionin ndërmjet këtyre sektorëve;
• të monitorojë zhvillimet teknologjike që mund të mbështesin forma të reja mashtrimi;
• të lehtësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë;
• të mbështesë shpërndarjen e gjerë të rekomandimit.
Ky tekst përfshin përkufizime të pranuara përgjithësisht në nivelin evropian të mashtrimit arsimor, plagjiaturës dhe llojeve të ndryshme të ofruesve të dokumenteve mashtruese si
diploma, dokumentë akreditimi dhe viza, si dhe ese me pagesë.
Arsimi kuptohet në kuptimin e tij më të gjerë, me të gjitha masat e përfshira në tekst që zbatohen për aksesin në arsim dhe për të gjitha nivelet dhe format e arsimit, offline dhe online, nga arsimi parafillor në arsimin e lartë, përfshirë arsimin profesional dhe mësimin gjatë gjithë jetës.
Një nga rekomandimet kryesore është kundërshtimi dhe parandalimi i reklamimit të shërbimeve mashtruese, i cili përkeqësohet nga përdorimi i internetit dhe i mediave sociale. Kjo do të kërkojë një proces të monitorimit të aktiviteteve mashtruese kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shkëmbimit të informacionit, i cili mund të vendoset vetëm në bazë të bashkëpunimit ndërkufitar. Bashkëpunimi ndërkombëtar konsiderohet thelbësor në këtë drejtim.
Në kuadër të aktiviteteve të kryera nga rrjeti ETINED për zbatimin e rekomandimit, u konsiderua si prioritet shpërndarja dhe përkthimi i rekomandimit në gjuhët zyrtare të shteteve tona anëtare.
Prandaj ju ftojmë të siguroheni që ky instrument, i disponueshëm në dy gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës, anglisht dhe frëngjisht, të përkthehet në gjuhën e vendit tuaj, të shpërndahet gjerësisht përmes faqeve tuaja zyrtare të internetit dhe kanaleve të tjera dhe të vihet në vëmendjen e të gjithë aktorët përkatës. Gjithashtu ju ftojmë që versionin e përkthyer të rekomandimit t'ia dërgoni Sekretariatit të Këshillit të Evropës.
Juaji sinqerisht,
Villano Qiriazi Kreu i departamentit