Promovimi i Ndërgjegjësimit mbi Komunikimin Ndërkulturor për Mësuesit e Ardhshëm në Shqipërinë e Veriut
Projekti “Promoting Awareness of Intercultural Communication for Pre-Service Teachers in Northern Albania” u realizua si një iniciativë akademike dhe trajnuese me fokus forcimin e kompetencave ndërkulturore tek mësuesit e ardhshëm dhe mësuesit e rinj në Shqipërinë e Veriut. Projekti synoi të pajisë studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me njohuri dhe aftësi praktike për krijimin e mjediseve arsimore gjithëpërfshirëse, të ndjeshme ndaj diversitetit kulturor dhe të bazuara në komunikim efektiv.
Gjatë një periudhe 12-mujore, programi zhvilloi 10 module interaktive trajnimi të fokusuara në çështje të komunikimit ndërkulturor, menaxhimit të konflikteve, promovimit të empatisë dhe përfshirjes sociale në mjediset shkollore. Në trajnim morën pjesë studentë të programeve master në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, si edhe mësues në vitin e parë të ushtrimit të profesionit.
Aktivitetet trajnuese u zhvilluan kryesisht në ambientet e shkollës “Ndre Mjeda”, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Vendore të Arsimit Shkodër. Programi përfshiu workshope interaktive, ushtrime praktike dhe analiza të rasteve reale, duke integruar strategji të bazuara në evidenca për promovimin e një mjedisi arsimor gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj diversitetit kulturor.
Për të vlerësuar efektivitetin e programit, pjesëmarrësit iu nënshtruan testimeve para dhe pas trajnimit, si edhe një vlerësimi pasues për të matur ndikimin afatgjatë të ndërhyrjes. Gjetjet e projektit synojnë të publikohen në një revistë shkencore ndërkombëtare me “peer review”, duke kontribuar në zhvillimin e praktikave edukative të bazuara në evidenca.
Njëkohësisht, modulet trajnuese do të integrohen në Qendrën e Edukimit të Vazhduar të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke siguruar akses afatgjatë dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional për mësuesit para dhe gjatë shërbimit.
Projekti u realizua në bashkëpunim me studiuesen nga diaspora:
-
Prof. Elvita Kondili – Assistant Professor, Adler University, Chicago, USA
dhe ekipin akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”:
-
Dr. Jonida Lesha – koordinatore e projektit, Departamenti i Psikologjisë
-
Prof. asoc. dr. Bresena Kopliku – Departamenti i Gjeografisë
-
Prof. asoc. dr. Alva Dani – Departamenti i Gjuhës Italiane dhe Komunikimit
Rezultatet e projektit kontribuan në përmirësimin e formimit profesional të mësuesve të ardhshëm dhe mësuesve të rinj, në forcimin e kulturës së përfshirjes dhe respektit në shkolla, si dhe në promovimin e praktikave edukative të bazuara në evidenca dhe ndjeshmëri ndërkulturore.
Projekti u financua nga Albanian-American Development Foundation (AADF), në koordinim me Institute of International Education (IIE), në kuadër të programit Albanian Diaspora Fellowship Program – Research Expertise from the Academic Diaspora (READ), një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet universiteteve shqiptare dhe studiuesve të diasporës shqiptare në institucionet ndërkombëtare të arsimit të lartë.