Z. Rektor,
Pedagoge dhe pedagogë,
Studente dhe studentë,
Të ftuar të tjerë,
Gëzuar nga zemra 55 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës!
Kosova, për ne si komb, ka qenë për më shumë se një shekull, një prej brengave dhe dhimbjeve tona më të mëdha, dhimbje dhe brenga të cilat, edhe shumë vite pas çlirimit të saj, ruajnë shenjën e tyre të pashlyeshme në memorien tonë kombëtare.
Kjo memorie është e mbushur me historitë, tregimet, sakrificat dhe imazhet e mijëra bijve të kësaj toke, të Adem Jasharit, etj., njerëz të cilët, në momentet më të vështira, nuk patën asnjë drojë të japin jetën për Kosovën.
Memoria jonë është e mbushur, po ashtu, dhe me krijimtarinë e thellë të intelektualëve të Kosovës, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Bajram Kelmendi, Ibrahim Rugova e shumë e shumë të tjerë, zemra e të cilëve rrahu fuqimisht për këtë vend nën robëri.
Por, memoria jonë është e mbushur dhe me sakrifcat e mbijetesën e Universitetit të Prishtinës, të studentëve dhe personelit mësimdhënës të këtij institucioni, të shkencëtarëve, kërkuesve dhe drejtuesve të saj, të cilët, në çastet më të errëta të uzurpimit të ish Jugosllavisë nga Millosheviçi dhe të shndërrimit të Kosovës në një geto, patën kurajë të dalin në krye të revoltave, në krye të popullit të Kosovës dhe të flasin për lirinë, të luftojnë për të, të bëhen bartës të asaj aspirate shekullore, të Pavarësisë, por të ruajnë dhe të mbijetojnë universitetin dhe dijen për të rinjtë e Kosovës.
Universitetet në Shqipëri, ato publike dhe jopublike, kanë patur gjithnjë një lidhje të patregueshme dhe shumë të fortë me Kosovën, me UP dhe, më vonë, me të gjitha universitetet e tjera të shtrira në territorin e vendit.
Ne vlerësojmë fort kurajën e madhe, maturinë dhe shembullin e atdhedashurisë që UP dhe stafi i tij ka shfaqur, ndër dekada, në momente kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë. Ne, po ashtu, vlerësojmë kontributin për liri e paqe, përpjeket e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë e demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake, turke, apo të tjera, mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta.
Por, sot, universitetet tona, në Shqipëri e Kosovë, duhet të jenë promovues të fuqishëm të rrëzimit të barrierave burokratike mes Prishtinës dhe Tiranës, me
qëllim që të përjetojmë një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshme akademike, të mësimdhënësve, kërkuesve e studentëve, duke lehtësuar kështu bashkëpunimet dhe shkëmbimet akademike e shkencore, njohjen reciproke të diplomave, pa asnje pengesë, për të hapur rrugën për një treg të përbashkët edukimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, që akoma nuk është në nivelet e kërkuara.
Tjetër, duke ruajtur patriotizmin demokratik dhe kushtetues, si një vlerë themelore demokratike, por duke tejkaluar tashmë patriotizmin folklorik e deklarativ, duhet urgjent të përqafojmë fazën e ndërkombëtarizimit, të studentit ndërkombëtar, që Tirana dhe Prishtina të mbushen me studentë ndërkombëtarë, për t’u bërë kështu pjesë e industrisë ndërkombëtare të edukimit.
Së fundi, ne duhet të përfshihemi në rankimet ndërkombëtare të mirënjohuranjohura, si THE, Melbourn-i dhe/apo Shangai Times, si dhe në akreditime ndërkombëtare institucionale dhe programeve të studimit.
Gëzuar dhe një here 55 vjetorin e themelimit dhe përjetësi për UP-në!
Faleminderit.
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektor
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”