Fjala përshëndetëse e rektorit
Të nderuar kolegë, studiues, përfaqësues të institucioneve partnere, të dashur miq,
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare me temë: “Transhumance and Pastoral Heritage: Culture, Identity, and Sustainable Futures”, që zhvillohet sot në mjediset e bibliotekës së universitetit tonë.
Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm reflektimi dhe dialogu shkencor mbi transhumancën, një praktikë e hershme e jetës pastorale që, përtej funksionit të saj ekonomik, përfaqëson një sistem kompleks marrëdhëniesh midis njeriut, natyrës dhe kulturës. Në këtë kuptim, transhumanca nuk është vetëm një mënyrë jetese e trashëguar, por një formë njohjeje dhe organizimi që bart në vetvete kujtesën kolektive, identitetin dhe mençurinë ekologjike të komuniteteve tona.
Në dritën e këtij kuptimi, projekti “Digital Horizons of Transhumance”, i udhëhequr nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe mbështetur nga Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion, përbën një hap të rëndësishëm drejt dokumentimit, interpretimit dhe ripërfytyrimit të kësaj trashëgimie të alpeve shqiptare. Ai nuk synon vetëm ruajtjen e saj si një kujtesë statike, por trajton transhumancën si një pasuri të gjallë, që mund të riaktivizohet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, të edukimit dhe të ndërtimit të urave midis së shkuarës dhe së ardhmes.
Në një kohë kur globalizimi dhe transformimet e shpejta sociale rrezikojnë të zbehin format tradicionale të jetesës, ky projekt dëshmon se, kërkimi shkencor dhe teknologjia mund të shndërrohen në instrumente të fuqishme për ruajtjen dhe rikthimin e vlerave kulturore në qarkullim aktiv. Digjitalizimi i praktikave, arkivimi i kujtesës dhe integrimi i tyre në diskursin bashkëkohor, e vendosin transhumancën në një dimension të ri, si pjesë e dialogut ndërkombëtar mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Në këtë perspektivë, transhumanca shfaqet si një model i rrallë harmonie midis njeriut dhe natyrës, një model që sot merr një rëndësi të veçantë përballë sfidave globale mjedisore dhe sociale. Ajo ofron, jo vetëm një mënyrë alternative të menaxhimit të burimeve natyrore, por dhe një vizion kulturor që ndërthur traditën me inovacionin, lokalitetin me dimensionin global.
Kjo konferencë sjell së bashku studiues nga fusha të ndryshme – nga antropologjia dhe gjuhësia, te ekologjia, historia dhe studimet kulturore – duke krijuar një hapësirë të vërtetë ndërdisiplinore. Diskutimet që do të zhvillohen sot, në sesionet në shqip dhe anglisht, dëshmojnë për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj trashëgimisë pastorale, duke analizuar atë në dimensionet e saj kulturore, shoqërore dhe ekologjike.
Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të theksoj rëndësinë e përfshirjes së kësaj trashëgimie në rrjetet europiane të rrugëve kulturore, si dhe potencialin që ajo bart për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe angazhimin e komuniteteve lokale. Këto janë drejtime që lidhin kërkimin shkencor me realitetin konkret dhe me të ardhmen e rajonit tonë.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet i përkushtuar të jetë një qendër aktive e kërkimit shkencor dhe dialogut ndërkombëtar, duke kontribuar në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe më gjerë. Përmes aktiviteteve të tilla, ne synojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të nxisim shkëmbimin e ideve dhe të hapim horizonte të reja për kërkimin dhe inovacionin.
Duke ju falënderuar për praninë dhe kontributin tuaj, ju uroj një konferencë të suksesshme, me diskutime frymëzuese dhe rezultate të qëndrueshme shkencore.
Faleminderit!
Tonin Gjuraj
