Përshëndetja e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me rastin e ceremonisë të diplomimit viti akademik 2023-2024

Mirëmrama,

Z. Kryetar i Bashkisë Shkodër Beci,

Deputetë,

Autoritete të tjera drejtuese në nivel qarku e rajoni,

Prindër, miq të UNISHK-ut e të ftuar të tjerë,

Ish rektorë,

Anëtare e anëtarë të Senatit Akademik,

Kolege e kolegë,

 

Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë ceremoni diplomimi, 2023 – 2024, të diplomantëve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në UNISHK.

Ju jeni një ansambël aktorësh të rëndësishëm dhe ndikues në qytet e qark, me të cilët dëshirojmë të forcojmë lidhjet, network-un dhe bashkëpunimin tonë.   

 

Të dashur diplomantë,

Të dashur mjeshtra,

 

1320 të diplomuar, në të dy ciklet e studimeve, në vitin akademik 2023 – 2024, i bashkohen sot armatës së madhe prej 48 317 të diplomuarve në UNISHK, prej vitit 1957, kur ky institucion nisi rrugëtimin e vet si ILP.

UNISHK ka sot 68 programe studimi: 28 BA, 17 MSH, 16 MP, 1 program i integruar të ciklit të dytë – MSH, 3 programe studimi me karakter profesional, 1 program studimi i formimit të vazhduar dhe 2 programe studimi në doktoratë.  

 

Sot, ndërsa qëndrojmë këtu, të bashkuar nga gëzimi i këtij momenti të veçantë, nuk mund të mos ndjej një valë të emocioneve që më përshkon. Është një privilegj i veçantë të qëndroj përpara jush, si rektor i këtij universiteti me traditë, të mbushur me histori dhe aspiratë.

Universiteti ynë, me traditën e tij të gjatë dhe kontributin në formimin e brezave, krahas sfidave që ka ndeshur, ka arritur edhe suksese të shumta, duke investuar në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor, si dhe duke forcuar bashkëpunimin me universitete të tjera europiane.

 Por, ne nuk do të ndalemi këtu. Së bashku me ju, do të vazhdojmë të punojmë për të bërë universitetin tonë një qendër e shkëlqyer e arsimit dhe kërkimit shkencor në rajon.

Ju të gjithë diplomoheni sot në një kohë kur zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ka mbërritur në zenit, ka përshpejtuar, për rrjedhojë, edhe ritmet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, si kurrë më parë, por edhe ka sfiduar jo pak njeriun dhe zhvillimin e kësaj shoqërie, si dhe synon ta lidhë dhe misionin e universitetit dhe të edukimit, në tërësi, me këtë sfidë të rëndësishme të njeriut. 

UNISHK duhet ndërtuar me vizionin e bashkësisë, sepse kështu mbledh e kultivon një tërësi të ndërlikuar dijesh të njeriut, të trupëzuara në një larmi programesh studimi, nga më të kërkuarat në tregun e punës.  

Por, kjo nuk mund të ndodh pa studentin në qendër të vëmendjes.

 

Ne duhet të ndryshojmë totalisht filozifinë e universitetit, me një plan konkret masash, duke vënë studentin në qendër për mësimdhënien, mësimnxënien dhe vlerësimin.  

Vetëm me këtë vizion evropian, UNISHK, mund të  rrit përditë prestigjin e tij akademik e shkencor, në përballje me universitetet partnere në botë, nëpërmjet produktit shkencor të matshëm të akademikëve tanë.

Falë studentëve pra, personelit mësimdhënës, administratës së përkushtuar, korrekte e profesionale, mund të rritemi si universitet në çdo aspekt dhe, si pasojë, edhe në impaktin mbi zhvillimin e shoqërisë shqiptare.  Nëse bëjmë këtë sot e në vijimësi, atëherë mund të mbijetojmë dhe të shohim fytyrën tonë europiane.

 

Të dashur diplomantë,

Të dashur mjeshtra,

 

Sot festojmë, jo vetëm arritjet tuaja individuale, por edhe një fitim për shoqërinë tonë.  Tani është momenti të shkoni përtej dhe të krijoni diçka të re për veten tuaj, për ne dhe për botën ku jetojmë.  Teknologjia është një mjet për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe ju keni mundësinë ta përdorni për të ndërtuar një botë më të mirë. Të ardhmen e teknologjisë e keni në duart tuaja, por mos harroni diçka më të thjeshtë e të qenësishme, jini njerëz e qytetarë të mire, fillimisht, dhe respektojeni e lartësoni njerëzoren brenda jush.  Sot ju nuk merrni vetëm një diplomë, por merrni me vete një pasuri shumë më të madhe: përvojën e një rrugëtimi të gjatë të njohjes.  Ajo që keni mësuar në këto vite nuk është vetëm një sërë konceptesh abstrakte, por një mënyrë e re për të parë botën dhe për të vepruar në të.

 

"Qytetet janë të bukura sepse krijohen ngadalë;

ato janë bërë nga koha.

Një qytet lind nga një lëmsh monumentesh dhe infrastrukturash,

kulture dhe tregu,

histori kombëtare dhe histori të përditshme.

 Duhen 500 vjet për të krijuar një qytet, 50 për të krijuar një lagje."

- Renzo Piano-

 

Po e mbyll fjalimin tim me rreshtat e mësipërm, të shkëputur nga arkitekti italian Renzo Piano, jo sepse universitetin e konsideroj një qytet, por se në kulturën europiane, që me lindjen e universiteteve të para, universiteti është i lidhur ngushtë me qytetin, ai formësohet dhe merr frymë në qytet dhe për qytetin, duke qenë përherë e më shumë një binom i pandashëm.

UNISHK është i tillë, ai i përket Shkodrës, veriut dhe verilindjes së Shqipërisë, qyteteve të tyre.  Kështu duhet të qëndrojë ky binom: qytet (komunitet) – universitet. Vetëm në sajë të kësaj sinergjie mund t’ia dalim të përballemi me vështirësitë dhe të arrijmë sa më lart.

Ndaj ju bëj një thirrje të sinqertë, të dashur diplomantë dhe mjeshtra,  kolege e kolegë, të ftuar që jeni sot të pranishëm, të kontaktoni intensivisht rrjetin tuaj profesional e miqësorë, familjarët e të afërmit tuaj, të njohur kudo t’i keni, në Shqipëri e rajon, t’i bashkohen gjithnjë familjes së UNISHK, për studimet universitare. 

Si rektor i këtij universiteti, unë angazhohem për të udhëhequr këtë institucion drejt një epoke të re përmirësimi dhe rritjeje. Besoj fort se, ndryshimi është i mundur, por ai kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe vizion. Dhe ky ndryshim fillon sot, me ju – me çdo student, pedagog dhe punonjës të këtij institucioni.

 

Një falenderim i sinqertë shkon për ekipin që organizoi këtë ceremoni me administratorin Uruçi në krye.

 

Urime dhe një here për diplomimin.

Shkoni përpara me guxim e pasion!

Faleminderit.

 

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektori i UNISHK-ut