• Ankesa

Ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë: Mision dhe Perspekt

Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur kolege dhe kolegë rektorë,
Të ftuar të nderuar,

Sot rikthehem në këtë Konferencë dhe në këtë godinë pas plot 15 vitesh – që prej prillit të vitit 2010. Një falënderim të veçantë dua t’ia adresoj Prof. Dr. Elez Osmanit për kontributin e tij në vijimësinë e kësaj tradite akademike.

Shkenca, teknologjia dhe kërkimi shkencor tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe përfaqësojnë preokupacione të përbashkëta të vendeve dhe universiteteve tona. Në këtë kontekst, një ndër sfidat kryesore të kohës sonë është gjetja e ekuilibrit të nevojshëm ndërmjet zhvillimeve teknologjike, rritjes së industrisë së turizmit dhe ruajtjes së mjedisit. Dhe pikërisht universitetet, me kapacitetin e tyre profesional dhe shkencor, duhet të jenë në ballë të kësaj përpjekjeje.

Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur zhvillimet në teknologji dhe inteligjencë artificiale po përshpejtojnë në mënyrë të pashembullt ritmet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Këto zhvillime, në njëfarë mënyre, po e sfidojnë edhe vetë qenien njerëzore. Por pikërisht përballë këtyre sfidave, konferenca si kjo marrin një domethënie të veçantë, duke forcuar lidhjen midis misionit të universitetit dhe sfidave të kohës.

Megjithatë, siç shprehet edhe nobelisti Giorgio Parisi, njeriu mbetet realiteti më kompleks dhe i pashkatërrueshëm i kësaj bote – sepse ai ka lindur me aftësinë për të pasur ndërgjegje, për të ndjerë, për të përfytyruar dhe për të krijuar. Prandaj, pavarësisht zhvillimit të inteligjencës artificiale, vetë njeriu është në qendër të çdo përpjekjeje krijuese dhe shkencore – dhe duhet të mbështetet tek forca e mendjes dhe shpirtit të vet.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, që nga themelimi i tij në vitin 1957, vijon me përkushtim përpjekjet e përditshme për të rritur prestigjin akademik dhe shkencor, në partneritet me universitete të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë ngritja e Zyrës së Ekselencës, e cila është vendosur në funksion të nxitjes së cilësisë së kërkimit shkencor dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Megjithatë, universitetet tona, si në Shqipëri, ashtu edhe në rajon, duhet të jenë promotore të forta të rrëzimit të barrierave burokratike që na ndajnë. Vetëm kështu mund të realizojmë një shkëmbim intensiv akademik mes mësimdhënësve, kërkuesve dhe studentëve tanë. Është jetike të lehtësojmë bashkëpunimet, shkëmbimet shkencore, si dhe njohjen reciproke të diplomave, me qëllim ndërtimin e një tregu të përbashkët arsimor mes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Ne duhet të synojmë me vendosmëri ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë – që Shkodra dhe Podgorica, Tirana, Prishtina dhe Shkupi, Ulqini dhe Tuzi, të bëhen qendra tërheqëse për studentë ndërkombëtarë, duke u kthyer kështu në pjesë aktive të industrisë globale të edukimit.

Faleminderit!

Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektor
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”