Në një kohë trazimesh, konfliktesh dhe pasigurish globale, largimi në amshim i Papa Françeskut, Papës së thjeshtësisë, i atij që vinte nga “fundi i botës” – nga Argjentina e vuajtur – përbën një humbje të madhe për mbarë njerëzimin.
Ai zgjodhi emrin e Shën Françeskut, mbrojtësit të të varfërve dhe tokës , si dhe mbeti besnik ndaj këtij ideali me përulësinë dhe forcën e fjalës së tij. Një zë i guximshëm për paqen, drejtësinë, bashkëjetesën dhe vëllazërinë ndërfetare, ai nuk ngurroi të fliste për plagët e kohës sonë dhe sfidat e thella që rëndojnë mbi njerëzimin.
Për shqiptarët, Papa Françesku do të kujtohet me dashuri të veçantë. Si jezuit që kishte njohur errësirën e diktaturës në vendin e tij, ai zgjodhi pikërisht Shqipërinë si vendin e parë evropian për një vizitë zyrtare, duke nderuar qëndresën tonë dhe duke vlerësuar shembullin e harmonisë ndërfetare që bartim si popull. Ai ishte dhe do të mbetet një mik i sinqertë i shqiptarëve – një zë i dhembshurisë, një udhërrëfyes shpirtëror për kohët që vijnë.
Fjalët e tij të fundit, si gjithë pontifikati i tij, bartën qetësinë dhe urtësinë e një njeriu që i shërbeu botës me përulësi dhe dashuri.
U prehtë në paqe!
Prof. Dr. Tonin Gjuraj