• Ankesa

Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991. Shkodra përballë të kaluarës

Zj. Kryetare e Kuvendit, Spiropali

Shkelqësi Ambasador i BE-së, Gonzato,

Shkelqësi Ambasador i OSB-së, Tarran,

Zj. Hanotier,

Zj. Sula, Kryetare e AIDSSH-së,

Zj. Qyteza, nënkryetare e Bashkisë Shkodër,

Z. Guraziu, nënkryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, Shkodër

Përfaqësues të institucioneve fetare, studiues, familjarë të të përndjekurve politikë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Është një nder dhe përgjegjësi për Universitetin “Luigj Gurakuqi” që sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, të presim këtë simpozium, kushtuar një prej plagëve më të dhimbshme të historisë sonë të afërt.

Shkodra, qyteti i kulturës dhe i qëndresës, e ka ndjerë më thellë se kushdo kufirin e shndërruar në vijë vdekjeje.  Qindra jetë të humbura, të pushkatuar e të zhdukur, pa gjurmë, na kujtojnë se kufiri nuk ishte vetëm një ndarje gjeografike, por një ndarje mes shpresës dhe tragjedisë.

Ky simpozium nuk është thjesht një ngjarje akademike, por një hapësirë kujtese kolektive. Ne jemi këtu për t’u përkulur me respekt para viktimave, për t’u dhënë zë atyre që nuk mundën të flasin dhe për të rikthyer në ndërgjegjen tonë të përbashkët çmimin e lirisë.

Universiteti ynë e sheh si detyrë, jo vetëm përkujtimin, por edhe studimin e kujdesshëm shkencor të ngjarjeve: të hulumtojmë mbi dokumentet, të analizojmë dëshmitë, të rindërtojmë me metoda historike dhe shoqërore realitetin e asaj kohe dhe ta kthejmë këtë njohje në pjesë të ndërgjegjes kombëtare e të edukimit universitar.  Në këtë frymë është ndërtuar edhe programi i këtij simpoziumi, ku kumtesat adresojnë mënyra të ndryshme, se si dëshmitarët, qytetarët dhe studiuesit do të shqyrtojnë dhe ta çojnë më tej studimin e kësaj pjese të historisë së Shqipërisë dhe Shkodrës, duke i dhënë kujtesës një dimension të gjallë akademik, qëndrese dhe reflektimi.  Vetëm kështu kujtesa nuk mbetet e ngujuar në dhimbje, por bëhet një proces i vazhdueshëm kërkimi, mësimi, reflektimi dhe ndërgjegjësimi për brezat që vijnë, sepse harrimi është një formë e dytë e vdekjes — dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë.

Kujtesa pra, nuk është vetëm për të kaluarën; ajo është për të ardhmen. Duke u përballur me historinë, ne mësojmë se liria nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, por një vlerë që duhet ruajtur e mbrojtur çdo ditë.  Ky është mesazhi që ne, si universitet dhe si qytet, duhet t’ua përcjellim brezave të rinj: që kujtimi i dhimbjes të kthehet në forcë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më njerëzore.

Dua të falënderoj Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish - Sigurimit të Shtetit, Bashkinë Shkodër, Shoqatat e të Përndjekurve Politikë dhe të Vrasjeve në Kufi, Muzeun e Kujtesës, ICMP-në dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë veprimtari.

Le të jetë kjo ditë një dëshmi se, e kaluara nuk fshihet, por njihet dhe përballohet me kurajë; një kujtesë për viktimat, një ngushëllim për familjet dhe një amanet për ne të gjithë: të ndërtojmë një të ardhme mbi themelet e së vërtetës dhe të lirisë.

 

Faleminderit.

Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektor
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”