Mirëdita dhe faleminderit shumë për praninë tuaj në Konferencën e 20-të ndërkombëtare dhe ndërdisiplinare “Zhvillimi në kohëra të trazuara”.
“Ndërkombëtare” dhe “ndërdisiplinare” janë, në fakt, dy fjalë kyçe, që përbëjnë trendin e zhvillimeve aktuale të universiteteve në botë, krahas dixhitalizimit dhe zhvillimeve teknologjike.
Pjesëmarrja juaj sot këtu, në mjediset e UNISHK, nuk është thjesht përkushtim, por rrjetëzim, shkëmbim idesh për zhvillim: si mund të ripozicionohen apo rishikohen shkencat sociale e humane, kurrikulat e tyre në universitete, në funksion të zhvillimit; si mund të zhvillojmë një ekosistem që financon projekte; si të balancojmë zhvillimin, etj.
Zhvillimet e teknologjisë nuk duhet të na nxisin të jemi konkurrues dhe imitues të krijesave tona inteligjente, por të bëjmë përpjekje të eksplorojmë kufijtë e së pamundshmes njerëzore. Sado të avancojë teknologjia, përgjigjja ndaj të gjitha sfidave të sotme mbetet vetëm Njeriu, mendja e tij — jemi ne.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale provon se njeriu e ka vetë në dorë të nënshtrohet krijesës së tij, ose të besojë në aftësitë e tij krijuese, duke u vetëdijësuar për realitetin kompleks të qenies që ai është.
⸻
Në këtë kuptim, universiteti, si institucion i arsimit të lartë, konsiderohet kyç në përgatitjen dhe kultivimin e këtij realiteti kaq kompleks — njeriut — sepse mbledh dhe kultivon një tërësi të ndërlikuar dijesh mbi njeriun.
Në librin Irriducibile (I Pashkatërrueshëm, Mondadori 2022) të fizikantit, inxhinierit dhe shpikësit gjenial të mikroprocesorit, Federico Faggin, projektohet një vështrim bashkëkohor i vijimësisë së edukimit dhe zhvillimit në botë, edhe në Shqipëri dhe në universitetet tona në veçanti.
Duke perifrazuar Faggin-in, vetëdija jonë na ka bërë të jemi përherë koherentë dhe të kuptojmë rëndësinë e teknologjisë dhe qasjes sonë ndaj saj, por jo të humbemi pas zhvillimeve të pabesueshme të robotëve apo inteligjencës artificiale, duke harruar veten tonë si qenie njerëzore, me mendje kaq mrekullisht komplekse e befasuese.
Pikërisht këtu duhet të ndihemi optimistë për komunitetin e studiuesve të shkencave sociale dhe humane që kemi ndërtuar bashkërisht, të vetëdijshëm për energjitë krijuese që, si individë, bartim dhe transmetojmë përditë tek studentët tanë.
Në kontekstin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, ChatGPT-së, etj., Faggin thekson se, sa i takon zhvillimit, duhet të besojmë në mendjet krijuese, në aftësitë përfytyruese të njeriut, i cili është i aftë të projektojë gjithnjë rrugë të pashkelura.
Teknologjia dhe inovacioni sjellin shumë avantazhe, por shkaktojnë edhe krizë dhe pasiguri, sipas meje (që jam i dobët në teknologji). Mendoj se shkencat sociale dhe humane janë në krizë, në radhë të parë prej teknologjisë; por nga ana tjetër, duket se jemi në një paradoks, pasi reformimi i ofertës akademike kërkon teknologjizimin e këtyre shkencave.
Mendoj se kriza duhet kapërcyer duke i shpallur këto programe studimi si programe të mbrojtura — jo thjesht me bursa, por me një orientim sa më të qartë akademik për maturantët, si dhe me kufizim të kuotave për programet e stimuluara.
⸻
Duke u nisur nga sa më sipër, ne duhet të ushtrojmë presion ndaj Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë shqiptare, për të zhvilluar projektin e programeve të mbrojtura, të ndryshëm nga programet e stimuluara.
Po ashtu, zhvillimi nuk ka kuptim, sipas meje, pa diasporën shqiptare — në veçanti pa diasporën akademike. Kjo duhet parë jo vetëm si burim ekonomik, por si pjesë e politikëbërjes dhe zhvillimit të vendit në biznes, ekonomi, politikë, diplomaci, etj.
Le të jenë këto dy ditë të mbushura me diskutime, rrjetëzime dhe ide frymëzuese për ne dhe për universitetet tona, në funksion të zhvillimit të vendit.
Faleminderit dhe urime Konferencës!
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektori – UNISHK
