Fjala e Rektorit Gjuraj në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Shkodra në shekuj”

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar kolege e kolegë,

Miq e të ftuar,

 

Me kënaqësi dhe nder të veçantë ju uroj Mirëseardhjen në Seminarin tonë të ripërtërirë “Shkodra në shekuj”. Ky aktivitet është një thirrje për të ndalur në kohë, për të reflektuar dhe për të vlerësuar trashëgiminë dhe historinë tonë të pasur kulturore, duke vendosur Shkodrën në qendër të diskutimeve tona, për ta lexuar, vlerësuar atë, për të vijuar më pas në të sotmen tonë, me vetëdijen e pasurisë kulturore e njerëzore, së cilës i jemi trashëgimtarë.

Tradita e seminarit “Shkodra në shekuj”, nisur në vitin 1993 dhe mbajtur për dhjetë vite, çdo dy vjet ka qenë një monument nderimi për historinë, kulturën, letërsinë, muzikën dhe artin që ky qytet ka prodhuar e ruajtur me krenari.

Sot, duke ripërtrirë këtë traditë, shënojmë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të një dialogu të hapur dhe të thelluar mbi vlerat e Shkodrës dhe zhvillimin e saj.

Ky qytet, me historinë dhe trashëgiminë e tij, është një pasuri që nuk ka nevojë të shpiket apo të lustrohet. Ai është aty, i plotë dhe i prekshëm, si një thesar që na është lënë nga brezat e mëparshëm. Sot, ne kemi detyrën dhe privilegjin, përgjegjësinë, jo vetëm ta ruajmë, por edhe ta përditësojmë, ta shfaqim dhe ta përhapim nëpër botë, duke u frymëzuar prej këtij qyteti, për të formësuar të ardhmen.

Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, Shkodra nuk ka nevojë të shpikë identitetin e saj, traditën e saj. Sot, sfida jonë nuk është shpikja e një identiteti të ri, por harmonizimi i traditës së saj të fuqishme me kërkesat e një bote gjithnjë e më dinamike dhe në ndryshim.

A duhet të vazhdojmë ta quajmë Shkodrën “E Bukura e Ballkanit,” siç e përshkroi Edith Durham? Apo duhet të gjejmë një mënyrë të re për ta integruar këtë epitet të së shkuarës me realitetin e sotëm të inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të menduara mirë ekonomikisht? Kjo pyetje është

një thirrje për të menduar se si mund të ndërtojmë ura midis së kaluarës dhe të ardhmes, duke ruajtur autenticitetin e qytetit dhe duke e bërë atë pjesë aktive të botës moderne.

Ky seminar adreson këto sfida dhe ofron një platformë për të eksploruar zgjidhje të reja. Përmes kumtimeve dhe diskutimeve, do të reflektojmë mbi artin, gjuhën, turizmin dhe teknologjinë, duke synuar të gjejmë mënyra për të ndërtuar një Shkodër që frymëzon dhe zhvillohet njëkohësisht. Në këtë kontekst, roli i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është thelbësor. Ky universitet, jo vetëm që mban gjallë traditën si një element i pandashëm i qytetit, por dhe vepron si një përcjellës dhe promovues i zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit. Siç thotë Gustav Mahler: "Tradita nuk është adhurimi i hirit, por kalimi i zjarrit." Universiteti ka detyrë dhe përgjegjësi të mbajë këtë zjarr të gjallë, duke ndërtuar ura midis së kaluarës dhe së ardhmes, për të frymëzuar zhvillime të reja. Bashkia e Shkodrës, me frymën e bashkëpunimit që ofron dhe ideve që ndan me ne për zhvillimin e binomit qytet - universitet, po na shtyn drejt një profili më aplikativ të këtij institucioni, më pak teorik, që është, në fakt, dhe trendi i universiteteve sot. Ne duhet ta kemi universitetin në qytet dhe qytetin në universitet.

Sot, ne jemi këtu për të diskutuar dhe për të reflektuar mbi këto çështje thelbësore. Ky seminar, në frymën e përmbushjes së detyrimit tonë për të kaluar zjarrin e traditës, është një hap tjetër drejt zhvillimit të qytetit tonë, duke bashkuar harmoninë e trashëgimisë me nevojat e modernitetit. Ju uroj dikutime e kumtime të suksesshme dhe të frytshme.

 

Faleminderit!

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektor, UNISH