Fjala e Rektorit Gjuraj në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Procesi i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe përvojat e vendeve të tjera. Probleme teorike dhe praktike.”

Konferencë shkencore ndërkombëtare

Fakulteti i Drejtësisë - UNISHK

 

Tema: Procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me të drejtën e BE-së dhe eksperienca e vendeve të tjera.  Probleme të teorisë dhe praktikës

 

Prof. Tigano,

Prof. Simoni,

Prof. Chieffi,

Zj. Dekane Baraku,

Z. Kokaj,

Kumtues e pjesëmarrës të tjerë,

Të ftuar,

Studentë e pedagogë,

 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që më mundësuat të përshëndes këtë konferencë. 

Mendoj se mbajtja e kësaj konference vjen në momentin e duhur, pasi Shqipëria tashmë ka hapur realisht negociatiat dhe ka nisur diskutimin e kapitujve për proceset integruese.  Integrimi në Evropë, përtej debatit politik, mbetet ylli qëllimi ynë madhor.

Sa i takon temës së Konferencës, më ka tërhequr, në fakt, pjesa e dytë e saj: probleme të teorisë dhe praktikës, kështu që, në këtë optikë, po përpiqem të ndaj me ju, shumë shkurt, një analizë, sipas meje, më shumë e karakterit socio-antropologjik se sa juridik (jam i bindsur se kumtuesit do ta bëjnë këtë shumë më mirë se unë).

Reforma legale e ndërmarrë në Shqipëri pas viteve 90’ ka demonstruar, sipas meje, parregullësi të theksuara në drejtim të institucioneve dhe instituteve ligjore.

Së pari, procesi legjislativ ka shfaqur vështirësi në zbatimin e tij. Ai mbeti abstrakt dhe larg realiteteve shoqërore, ekonomike dhe politike të kohës. Ligje të ndryshme, si: pshm, ligji për tokën dhe pronat, nuk reflektuan, në mënyrë të natyrshme nevojat e grupeve të ndryshme të njerëzve, por u paraqitesn si një kontribut i një grupimi të caktuar politik.  Në shumë raste ka munguar konsensusi apo pakti i madh midis palëve në hartimin dhe aprovimin e ligjeve me rëndësi jetike;

Së dyti, ekpertët e huaj në ndihmë të procesit të reformave në Shqipëri nuk morën në konsideratë traditën legale shqiptare, duke lënë mënjanë edhe aspektet psikologjike dhe historinë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare;

Së treti, procesi kushtetues ka qenë një përpjekje e sforcuar, e cila ka rezultuar dhe në dështime. Legjislatorët dhe konstitucionalistët nuk morën parasysh, sa duhet, traditën e së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Kontribute të kohës së Skënderbeut dhe më pas, idetë e rilindasve tanë, të Ismail Qemalit dhe bashkëkohësve të tij, Ahmet Zogut, etj, nuk zunë vend sa duhet në debatin kushtetues.  Shmangia ndonjëherë ka shkuar deri aty sa të deklarohej se, gjithçka ishte përgatitur dhe miratuar nga ekspertët ndërkombëtarë dhe/apo Komisioni i Venecias dhe, si rezultat, asgjë nuk mund të modifikohet ose ndryshohet.  Kushtetuta nuk u mbështet tek tradita e pasur e vlerave dhe normave të shoqërisë shqiptare dhe, si e tillë, nuk kishte si të përfaqësonte të drejtën shqiptare.  Në të shumtën e rasteve nuk merrej parasysh fakti se, shumica e shqiptarëve njohin dhe zbatojnë më mirë normat e së drejtës zakonore se sa ligjet e “reja” demokratike që jepen të gatshme ose imponohen. 

Meqënese të parat kanë rregulluar jetën dhe veprimtarinë e tyre në shekuj, ata janë bërë pjesë e natyrshme e sjelljes tonë shoqërore dhe konsiderohen të shenjta.  Duke vënë në dyshim “fytyrën shqiptare” të kushtetutës shqiptare, nuk u mbrojt, sa duhet, karakteri origjinal i së drejtës zakonore shqiptare, zbatimi i plotë dhe i vullnetshëm i normave zakonore, psiqika e shpirti kombëtar, si dhe psikologjia etnike e tij

Në tërësi, sipas meje, pamundësia për të gjetur, seleksionuar dhe reflektuar ato aspekte të normave dhe rregullave të sjelljes të mishëruara në të drejtën zakonore shqiptare tregojnë moskuptimin sa duhet se kjo e drejtë është dhe mbetet pjesë inherente e kulturës dhe etnosit shqiptar dhe, si rezultat, ajo duhet konsideruar si pjesë e çmueshme e traditës legale shqiptare dhe burim i së drejtës shqiptare.  

Ne mund t’ia dalim të përafrojmë legislacionin tonë me atë të BE-së formalisht, prat ë shkruar në letër, por a do të përkthehet kjo në europianizim të shoqërisë shqiptare, në mirëqeverisje, stabilitet, respektim të dinjitetit njerëzor dhe përmirësim të jetës së qytetarëve shqiptarë?  Kumtesat apo tezat që do të mbahen/hidhen në këtë konferencë ndoshta do të mund t’u japin përgjigje këtyre preokupacioneve.

 

Suksese punimeve të kësaj Konference!

Faleminderit.

 

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektori i UNIShK-ut

tonin.gjuraj@unishk.edu.al

Tel: 068 60 77 589