Të nderuar zv/rektorë,
Të nderuar dekanë,
Të dashur pedagogë dhe kërkues shkencorë,
Të nderuar të pranishëm,
Kam kënaqësinë e veçantë që, sot, në cilësinë e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, t’ju përshëndes në këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili shënon një moment domethënës për zhvillimin e kërkimit shkencor në institucionin tonë: prezantimin e projekteve fituese dhe nënshkrimin e kontratave, në kuadër të thirrjes për projekte kërkimore për vitin buxhetor 2026.
Universiteti ynë është i vendosur të investojë fuqishëm në kërkimin shkencor, duke konsideruar atë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit akademik dhe institucional. Në këtë kuadër, për vitin 2026 në bashkëpunim të ngushtë mes Senatit Akademik dhe Borditt ë Administrimit, kemi vënë në dispozicion të projekteve të kërkimit shkencor një fond prej 7,000,000.00 lekë.
Njëkohësisht, kemi akorduar një fond prej 8,000,000.00 lekë për mbulimin e shpenzimeve që lidhen me pjesëmarrjen e pedagogëve tanë në konferenca shkencore dhe për botimet në revista shkencore. Kjo mbështetje synon të nxisë një kërkim shkencor cilësor në Universitetin tonë, si dhe të ndihmojë drejtpërdrejt në avancimin akademik të stafit, përmes përfitimit të gradave dhe titujve shkencorë.
Dua të theksoj se, për herë të parë, këto procese janë të rregulluara në mënyrë të plotë, përmes rregulloreve përkatëse të hartuara së fundi, duke garantuar transparencë, standarde të larta dhe një menaxhim të drejtë e efikas të fondeve.
Po ashtu, për herë të parë, projektet e kërkimit shkencor për vitin 2026 i janë nënshtruar një procedure të mirëfilltë konkurrimi. Interesi ka qenë i lartë, me 16 projekte të paraqitura nga njësitë tona akademike. Nga këto, janë shpallur fitues 9 projekte: 3 projekte nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore, 2 projekte nga Fakulteti Ekonomik, si dhe nga një projekt nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
Financimi total i akorduar për këto projekte arrin në rreth 4,000,000.00 lekë, një mbështetje konkrete që do të shërbejë për zhvillimin e ideve inovative dhe rritjen e cilësisë së kërkimit në universitetin tonë.
Të dashur kolege e kolegë,
Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të qëndrueshme kërkimore, të bazuar në meritë, konkurrencë dhe cilësi. Projektet që po prezantohen sot janë dëshmi e potencialit dhe kapaciteteve që ka stafi ynë akademik, për të kontribuar në zhvillimin e dijes dhe shoqërisë.
Dua të përgëzoj të gjithë fituesit dhe t’i inkurajoj ata, që të vijojnë me përkushtim realizimin e projekteve të tyre. Njëkohësisht, ftoj të gjithë stafin akademik që të angazhohet edhe më shumë në kërkimin shkencor dhe të bëhet pjesë e nismave të ardhshme. Një falënderim I veçantë shkon dhe për DKSHN, për të gjithë arkitekturën e ngritur dhe punën e bërë në këtë drejtim.
Në përfundim, shpreh bindjen time se përmes këtyre investimeve dhe mekanizmave të rinj, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do të vazhdojë të konsolidojë rolin e tij si një qendër e rëndësishme e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj suksese në punën tuaj!
