Të pranishmit,
Autorin Verga,
Moderatoren Lattanzi,
Filip Guraziut (11 prill 1985 – 11 prill 2025) – 40 vite!
Zj. Nënkryetare e Bashkisë Qyteza,
Z. Borshi, me shumë respekt e mirënjohje, ardhur nga Roma,
Kolegen Ljarja pë një analizë më të detajuar të librit.
Aktivitetei është dëshmi e hapjes së institucionit ndaj komunitetit, atyre që kontribuojnë për këtë qytet dhe historinë e tij.
Nder i veçantë dhe detyrim i IAL-ve për të bashkëpunuar me Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë, për të analizuar të kaluarën shkencërisht, jo në mënyrë folklorike.
E kaluara është histori, por qëndrimet dhe sjellja e shqiptarëve sot ndaj tranzicionit demokratik dhe demokracisë në përgjithësi ndikohet, në një masë të konsiderueshme, nga e kaluara historike e tyre dhe i ka rrënjët tek sjellja e brezave të mëparshëm.
“Në kohën tonë historia është bërë objekt i rëndësishëm i refleksionit filozofik. Njohja e të kaluarës ka një rol të rëndësishëm për jetën tonë dhe kjo na vjen përmes punës së historiografisë (jo asaj komuniste), ose edhe përmes artit, letërsisë, arkitekturës, filmave, TV, etj.. Kështu që, historia gëzon një popullaritet të madh”. (Gjergj Sinani).
Ky është një libër gazetaresk në stil, sipas meje, me reportazhe dhe dëshmi, me shumë fakte, që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë objektivisht, ndoshta më shumë se sa analizë dhe përfundime.
Mendoj se paraqet shumë interes për publikun Italian, por dhe për të rinjtë shqiptarë!
Natyrisht Shqipëria për të cilën flitet në këtë libër, nëpërmjet dëshmitarëve të gjurmuar nga autori Verga, që janë protagonistë të këtij libri, nuk ekziston më, megjithatë shfaqje, aty këtu, të enverizmit nuk mund të mos vërehen.
“Dikush mund të thotë për regjimin e tij atë që thuhej për carët: se gjysmën e kohës e kaloi duke penguar hyrjen e lajmeve nga jashtë dhe gjysmën tjetër duke penguar që lajmet nga brenda të dilnin.", thuhet në prologun e librit.
Vijojmë në një tranzicion të tejzgjatur, konfliktual, me mungesë të shprehive demokratike. Nga njëra anë duket sikur Shqipëria përkrah modernitetin, por, nga ana tjetër, vijon të bart akoma “barrën e dhimbshme të kujtimeve të trashëguara nga një epokë e egër dhe autoritare që tashmë ka përfunduar, por me të cilën ende nuk ka arritur të lajë hesapet”, sipas parathënies së librit nga gazetari Bollino. Pra, jemi akoma në dilemën midis modernitetit dhe lashtësisë, e cila na vështirëson përditësimin e traditës.
Ky botim është i kompletuar dhe na jep një pikturë të qartë të kohës së regjimit komunist dhe mungesës së legjitimitetit të pushtetit të kohës në kuptimin Weber-ia të fjalës, pasi legjitimiteti i pushtetit nuk ishte për shkak të një procesi të trashëguar ose procedurave ligjore, as të një konsensusi të gjerë popullor, por të arbitraritetit dhe represionit, gjoja dhe të figurës karizmatike.
Urime autorit!
Faleminderit!
Tonin Gjuraj