Z. Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci,
Z. Dritan Abazoviç, mik i USH-së,
Anëtarë të Senatit Akademik,
Kolege dhe kolegë,
Pjesëmarrës të tjerë në këtë ceremoni diplomimi,
Të dashur prindër të studentëve të diplomuar.
Të dashur diplomante dhe diplomantë,
Mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni të pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të USH-së, 2024 – 2025.
Diplomohen sonte 1314 studentë: 750 në BA, 77 në programe me karakter profesional, 19 në programin e integruar MSH Drejtësi dhe 468 në MSH & MP.
Sot jemi mbledhur në këtë hapësirë simbolike të qytetit, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, për të festuar një moment që, për secilin prej jush shënon kulmin e një udhëtimi të gjatë: udhëtimin e dijes, të përkushtimit dhe të ëndrrave të realizuara.
Kjo është një ditë gëzimi dhe krenarie, por dhe një ditë reflektimi mbi rrugën që keni përshkuar dhe mbi atë që tashmë po nisni - rrugën e së ardhmes.
Shkodra ka qenë dhe mbetet një qendër e dritës, një vatër ku mendimi, arti dhe dija janë endur bashkë në gjallërinë e shpirtit qytetar, sepse ajo ka lindur figura që e kanë bërë dijen dritë dhe dritën kulturë: nga Ndre Mjeda e Luigj Gurakuqi, te Kolë Idromeno e Dom Ndre Zadeja, nga Ernest Koliqi, Martin Camaj e Arshi Pipa te Prenkë Jakova e Pjetër Marubi - të gjithë ata që, me veprën e tyre, e kanë bërë këtë qytet simbol të dijes dhe traditës, sepse kanë parë dijen si simbol të dritës që ndriçon shpirtin njerëzor.
Në këtë traditë frymëzimi e përkushtimi, universiteti ynë ruan të njëjtin mision: të ndezë dritën e dijes në çdo student, në çdo kërkim, në çdo përpjekje për ta kuptuar dhe përmirësuar botën.
Sepse dija, siç na mëson përvoja e njerëzimit është ajo që ndriçon mendjen dhe pasuron shpirtin; është drita që shoqëria ka nevojë ta mbajë të gjallë për të ecur përpara, sidomos në kohë të trazuara si këto të sotmet.
Siç ka thënë Kofi Annan, një nga zërat më të urtë të kohës sonë: “Dija është pushtet. Informacioni të bën të lirë. Edukimi është premisë për progres, në çdo shoqëri, në çdo familje” (Knowledge is power. Information is liberating. Education is the premise of progress, in every society, in every family). Këto fjalë mishërojnë thelbin e rolit që luan arsimi publik sot: ai nuk është vetëm formim individual, por një forcë që çliron, që ndriçon dhe që bashkon.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prej gati shatë dekadash, është një prej shtyllave më të rëndësishme të arsimit të lartë publik në Shqipëri. Ai ka qenë dhe mbetet një qendër dijesh, vlerash dhe frymëzimi për gjithë rajonin e veriut dhe për mbarë vendin. Në këtë qytet, që prej shekujsh ka qenë vatër e kulturës dhe arsimit, universiteti ynë mban një mision të veçantë: të ruajë trashëgiminë e mendimit shkodran dhe ta çojë atë drejt horizonteve të reja të zhvillimit, inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Por sot, roli i tij shkon përtej auditorëve. Në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë e Shkodrës dhe institucionet vendore, universiteti është shndërruar në një partner aktiv të jetës qytetare, duke kontribuar në nisma kulturore, ekonomike e teknologjike, që forcojnë mirëqenien e komunitetit.
Ky bashkëpunim është një dëshmi se, dija dhe qyteti mund të ecin së bashku drejt një qëllimi të përbashkët: zhvillimit dhe përparimit.
Të dashur të diplomuar, ju jeni brezi që do të jetojë në një epokë të re, ku inovacioni, dijet dixhitale dhe inteligjenca artificiale po riformësojnë mënyrën si mësojmë, punojmë dhe ndërveprojmë me botën. Por, përtej teknologjisë, bota e së ardhmes ka nevojë për njerëz që dinë të mendojnë me thellësi, që kanë etikë, ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Pikërisht këto janë vlerat që keni marrë në këto vite në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” - vlera që do t’ju udhëheqin në çdo hap të jetës suaj profesionale e njerëzore.
Diploma që merrni sot është më shumë se një dokument arritjeje - është një ftesë për të vazhduar të mësoni, të krijoni dhe të kontribuoni. Shkodra, me traditën e saj të pasur arsimore dhe shpirtin e saj europian, ka nevojë për ju, për energjinë, idetë dhe vizionin tuaj. Ju jeni ambasadorët e dijes, të qytetit dhe të vetë universitetit tonë. Kudo që do të shkoni, bartni me vete dritën që keni marrë këtu, atë dritë që ndriçon mendjen dhe fisnikëron shpirtin e njeriut.
Në emër të trupës akademike dhe administrative të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ju uroj me zemër suksese të mëdha në çdo hap të ardhshëm. Uroj që çdo ëndërr e juaja të gjejë rrugën drejt realizimit me përkushtim, dinjitet dhe dashuri për dijen.
Urime për ju, për familjet tuaja, dhe për qytetin tonë që sot feston bashkë me ju, sepse çdo brez i diplomuar është një dritë e re në historinë e Shkodrës dhe të Shqipërisë.
… dhe ju ftoj të gjithë t’i duartrokasim me krenari të diplomuarit e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” - brezin e ri të dijes dhe të shpresës sonë!
Faleminderit!