100 - VJETORI I LUIGJ GURAKUQIT PËRKUJTOHET NË BARI, ITALI

Trashëgimia e Gurakuqit në lëmin e kulturës ka të bëjë, së pari, me veprën e tij poetike dhe me përkthimet, por edhe me kontributin për “Vargnimin n’gjuhën shqype” (1906), pra me traktatin e parë të metrikës së poezisë shqipe. Një vepër me baza teorike klasike, që do të ndihmonte shumë në formimin e një brezi të ri poetësh dhe dashamirësish të artit poetik. Mos të harrojmë se, Gurakuqi ka qenë edhe drejtor i Normalet së Elbasanit, prej së cilës doli një aradhë të rinjsh patriotë e intelektualë që ngritën nga themelet atdheun tonë. Gjithashtu, ai mori në dorë fatet e Komisisë Letrare, pikënisja e standardizimit të shqipes dhe zhvillimit të arsimit kombëtar. Figura e Gurakuqit është ajo e një intelektuali poliedrik të impenjuar politikisht. Ai mund të shërbejë si contrast, por edhe si frymzim për intelektualët dhe politikanët e sotëm. Ai dha jetën për idealin në të cilin besonte. Mos të harrojmë se, kur e vranë në xhepa iu gjetën vetëm pak lireta italiane, e pra kishte qenë ministër! Vepra e tij poetike ende sot lexohet me shumë endje, ndërsa aktiviteti politik është i shkëlqyer dhe frymëzues. Kontributi i tij për Rilindjen kombëtare ndërthuret me aktivitetin politik që nis me Memorandumin e Gërçës dhe kulmon me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Gurakuqi është bir i Rilindjes, dishepulli i De Radës, do të bëhet një “vigan liberator”, siç e quan F. Noli. Ai është protagonist i Partisë Progresiste në vitet ’20-të dhe merr pjesë në parlamentin shqiptar me fjalime të thekura, ku del në pah dija dhe ndershmëria. Me Revolucionin e Qershorit, Gurakuqi rreshtohet me pjesën e përparuar të kombit.

Si episod interesant të jetës së tij mund të kujtojmë këtu faktin që, mbrëmjen e vrasjes së tij, me 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi po darkonte në restorantin e “Hotel Cavour” në Bari, me miqtë e tij Riza Dani e Dan Hasani dhe në një moment u kërkoi leje atyre të ngrihej, se i kishte premtuar një kukull vajzës pesëvjeçare të mikut të tij

Kontributi i Gurakquit mund të përmblidhet në:

Si liberal demokrat, i cili bëri përjekje të akomodojë traditën kulturore shqiptare me modernitetin, për të themeluar një shtet modern dhe bashkëkohor, themelet e të cilit duhet të bazohen në statute, kode, rregulla dhe sundimin e ligjit.

Me fjalë të tjera, kontributi i tij politiko – juridik kontribuoi për një demokraci funksionale, liberale dhe parlamentare dhe inspirim për institucionet, shoqërinë, politikën dhe shtetin.

Ai bëri më të mirën, për të përmirësuar marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, si një mënyrë për të përmirësuar imazhin e vendit, duke favorizuar kështu modelin perëndimor të progresit ekonomik, punësimit dhe edukimit, jo modelin “ala tyrka” , siç thoshte ai.

Mendoj se do të mund të vendosej një dekoratë që Presidenti i Republikës të jepte me emrin e Gurakuqit e po ashtu edhe Universiteti i Shkodrës dhe Senati Akademik.

 

Faleminderit!