• Ankesa

Zyra e Ekselencës vijon të zhvillojë trajnimet me metodat cilësore të kërkimit shkencor!

Me datë 30 Prill 2025, në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua me sukses një trajnim i specializuar mbi përdorimin e VOSviewer dhe NVivo, dy prej softuerëve më të rëndësishëm në mjetet moderne të kërkimit shkencor. Ky aktivitet u organizua nga Zyra e Ekselencës, në bashkëpunim me SMART Innovation Center dhe Departamentin e Administrim Biznesit, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur cilësinë dhe profesionalizmin e punës kërkimore në universitetin tonë.

VOSviewer u prezantua si një mjet kyç për analizën bibliometrike dhe hartimin e rrjeteve të literaturës shkencore. Pjesëmarrësit mësuan si të ndërtojnë harta të bashkë-ndodhjes së termave kyç, të analizojnë rrjetet e bashkëpunimit akademik dhe të identifikojnë tendencat dominuese në fushën e tyre të studimit. Ky sesion u drejtua nga PhD (c) Gentjan Ulaj, i cili ndau përvojën e tij mbi mënyrën se si analiza rrjetore mund të kontribuojë në ndërtimin e një strukture solide teorike dhe në rritjen e synimeve për publikim ndërkombëtar.

NVivo, nga ana tjetër, u prezantua nga Dr. Vehap Kola, si softueri më i avancuar për analizën cilësore të të dhënave. Ai ilustroi përmes demonstrimeve konkrete sesi mund të kodohet material i marrë nga intervista, fokus-grupe apo dokumente, si dhe mënyrën e ndërtimit të kategorive analitike që ndihmojnë në prodhimin e njohurive të reja dhe të thelluara mbi fenomenet sociale dhe organizative.

Në përfundim të pjesës teorike, z. Noel Radovani ofroi asistencë teknike individuale për instalimin dhe përdorimin praktik të këtyre softuerëve, si dhe për integrimin e inteligjencës artificiale në punën kërkimore – një komponent gjithnjë e më i rëndësishëm në prodhimin akademik bashkëkohor.

Ky trajnim synon jo vetëm përvetësimin e njohurive teknike, por edhe krijimin e një komuniteti kërkuesish të aftë të ndajnë praktika të mira dhe të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta shkencore. Është një tjetër hap konkret drejt ndërtimit të një universiteti të hapur, ndërkombëtar dhe të orientuar drejt ekselencës shkencore.

Zyra e Ekselencës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e këtij vizioni përmes organizimit të aktiviteteve që lidhin dijen me teknologjinë, dhe kërkimin shkencor me standardet më të larta ndërkombëtare.