• Ankesa

Zjermi n’Arkë” – Murali i ri në Universitetin e Shkodrës, një urë arti mes Ferizajt dhe Shkodrës

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka tashmë në ambientet e tij një vepër të re arti mural, e cila mban titullin “Zjermi n’Arkë”. Murali është realizuar nga artistja e njohur Lebibe Topalli, themeluese dhe drejtoreshë artistike e Mural Fest Kosova si dhe Dekane e Fakultetit të Arteve të Aplikuara në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF).

Kjo iniciativë erdhi si një projekt vullnetar i artistes, e cila shprehu dëshirën për të sjellë stilin dhe vizionin e saj artistik në hapësirat universitare të Shkodrës, me shpresën që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm artistik ndërmjet institucioneve.

Murali u realizua në bashkëpunim me Mural Fest Kosova, Galerinë e Arteve Shkodër si dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Departamenti i Arteve në Universitetin e Shkodrës.

Gjatë procesit të punës, asistuan aktivisht edhe studentë të Universitetit të Shkodrës, të cilët patën mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt nga teknikat e punës së profesoreshës Topalli dhe të përfshihen në një përvojë praktike unike.

Titulli i muralit: “Zjermi n’Arkë”

Shkodranja rrin drejt, ballhapun. Në dorë mban arkëzën e gjyshes, dru i vjetër, plot kujtime. Prej saj shpërthen nji flakë portokalli – “Zjermi” – që ia djeg frikën. Tradita i bahet dritë, drita i kthehet besim; e kaluemja nuk e ndal, veç e shtyn përpara.

Artistja shpjegon:

“Në këtë punim paraqita një vajzë të fortë, me qëndrim të pathyeshëm dhe të sigurt. E veshur me një kostum mbresëlënës që ndërthur elemente tradicionale me modernitetin, ajo mban fort në dorë arkëzën e vogël të gjyshes. Vlera e kësaj arke qëndron në kujdesin me të cilin është ruajtur dhe në jetën e kujtimeve që ajo përmban.

Piktura është realizuar në stil ekspresionist, me një energji të lirë shprehëse, që pasqyron paraqitjen skenike të personazhit dhe synon të frymëzojë çdo vajzë të kthehet në zjarr për arritjet e veta në jetë.”

Murali është vendosur në një hapësirë të brendshme të godinës së Rektoratit, duke i dhënë asaj një jetë të re përmes artit bashkëkohor dhe simbolikës së thellë shpirtërore.

Rektori Gjuraj, përgëzoi artisten për këtë kontribut të çmuar dhe shprehu dëshirën për vijimin e këtij bashkëpunimi në fushën e muraleve dhe artit publik, duke theksuar se prania e artit në universitete nxit krijimtarinë, identitetin dhe frymëzimin tek të rinjtë.

Ky projekt përbën një hap domethënës në krijimin e një ure bashkëpunimi artistik dhe institucional midis Ferizajt dhe Shkodrës dhe një shembull të fuqisë që arti ka për të ndërtuar lidhje të reja kulturore dhe akademike.