Përshkrimi i Workshop-it Përmbyllës në Kuadrin e Projektit “Zhvillimi i Kurrikulës për Masterin Shkencor në Menaxhim të Kujdesit Shëndetësor”
Më 4 korrik 2024, u zhvillua workshop-i përmbyllës në kuadër të projektit “Zhvillimi i Kurrikulës për Masterin Shkencor në Menaxhim të Kujdesit Shëndetësor”, i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) si pjesë e programit READ. Programi READ synon të bashkojë kërkues nga universitetet shqiptare dhe ato të diasporës, duke realizuar projekte të përbashkëta që sjellin inovacion dhe përmirësojnë cilësinë e kurrikulave dhe shërbimit në universitetet shqiptare.
Në hartimin e këtij projekti janë angazhuar gjashtë pedagoge. Ndër to, Prof. Dasantila Sherifi, Asistente Profesore dhe Drejtore e Programit të Menaxhimit Shëndetësor pranë Rutgers University, Pensilvani, SHBA, si përfaqësuese e diasporës, si dhe pesë kolege të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës (USH): Prof. Dr. Blerta Dragusha, Prof. As. Dr. Albana Boriçi, Dr. Ardita Boriçi, Dr. Emirjeta Bejleri, dhe Dr. Arjola Halluni.
Qëllimi i workshop-it ishte prezantimi i rezultateve të kërkimit të tregut dhe draftit të kurrikulës së hartuar nga grupi i punës. Në takim ishin të ftuar profesionistë të njohur të fushës së kujdesit shëndetësor, përfaqësues të Rektoratit të USH-së, dhe pedagogë të Fakultetit Ekonomik e Departamentit të Infermierisë.
Të ftuarit kryesorë përfshinë:
-
Prof. Dasantila Sherifi – Asistente Profesore dhe Drejtore e Programit të Menaxhimit Shëndetësor pranë Rutgers University, SHBA.
-
Dr. Aurora Dibra – Përgjegjëse e Zyrës së Projekteve dhe Kërkimit Shkencor në USH.
-
Z. Bahri Hajdari – Ekonomist, jurist, ish-Drejtor Ekonomik i Spitalit Rajonal Shkodër, dhe anëtar i Shoqatës së Menaxherëve të Shëndetit Europian.
-
Z. Senad Halluni – Mjek Gjinekolog, Drejtor i Spitalit Rajonal Shkodër.
-
Z. Astrit Beci – Shef i Klinikës ORL-Okulistikës, Spitali Rajonal Shkodër.
-
Z. Emiljano Pjetri – Përgjegjës i Departamentit të Infermierisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, USH.
-
Znj. Zamira Shabani – Mjeke dhe lektore pranë Departamentit të Infermierisë, FSHN, USH-së.
-
Znj. Arba Çaku Hoti – Përgjegjëse e Sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor dhe Spitalor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
-
Z. Arbër Meti – Menaxher Shëndeti.
-
Znj. Kleva Qeraj – Mjeke Onkologe pranë Spitalit Rajonal Shkodër.
-
Z. Hysmir Idrizi – Kordinator i AADF për projektet CleanScore dhe READ në USH.
Pas fjalëve përshëndetëse nga Prof. Dr. Blerta Dragusha, koordinatore e projektit, dhe Ass. Prof. Dasantila Sherifi, përfaqësuese e diasporës, workshop-i vijoi me prezantimin e rezultateve të kërkimit të tregut dhe draftit të kurrikulës nga Prof. As. Dr. Albana Boriçi. Takimi përfundoi me një diskutim të hapur ku pjesëmarrësit shprehën mbështetje dhe ofruan sugjerime për përmirësimin e kurrikulës. Ata treguan gatishmërinë për ta mbështetur këtë iniciativë si gjatë procesit të aplikimit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), ashtu edhe gjatë zbatimit të saj.
Ky workshop shënoi një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të kurrikulës për Masterin Shkencor në Menaxhim të Kujdesit Shëndetësor, duke kombinuar ekspertizën akademike dhe kontributin praktik për të arritur standardet më të larta në arsim dhe shëndetësi