• Ankesa

Workshop mbi Rreziqet Klimatike në Zonat e Mbrojtura të Alpeve Shqiptare në Universitetin e Shkodrës – Bashkëpunim Ndërkombëtar për Ruajtjen e Ekosistemeve Malore

Në mjediset e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua një workshop me rëndësi të veçantë për çështjet mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zonat malore, me fokus të veçantë në Alpet Shqiptare. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit të mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), dhe mblodhi së bashku një delegacion të gjerë ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë.

Delegacioni i pranishëm përbëhej nga specialistë të UNEP me qendër në Vjenë dhe në Shqipëri, përfaqësues të Parqeve Kombëtare nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Kirgistani, si edhe pedagogë e studiues nga Universiteti BOKU i Vjenës. Ky takim kishte për qëllim diskutimin e efekteve të ndyshimeve klimatike në zonat e mbrojtura të Alpeve Shqiptare dhe shkëmbimin e përvojave mbi ruajtjen e biodiversitetit dhe përshtatjen e ekosistemeve përballë sfidave klimatike.

Aktiviteti u mirëprit nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Shkodrës, duke përfshirë në mënyrë aktive edhe studentët e programeve të studimit Biologji-Kimi, Biologji Mjedisore dhe Turizëm i Qëndrueshëm. Studentet Irida Zmijani dhe Sonila Kroni mbajtën një prezantim të veçantë mbi vlerat natyrore të Alpeve Shqiptare, mbi kërcënimet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe mbi potencialin për ruajtjen e tyre në funksion të komunitetit dhe turizmit të qëndrueshëm.

Dr. Aurora Dibra, pedagoge dhe kërkuese pranë Universitetit të Shkodrës, paraqiti një panoramë të gjerë të kërkimeve të realizuara deri më sot në zonat alpine, duke theksuar kontributin në studimin e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit ekologjik. Ajo theksoi nevojën për të zgjeruar fushat e hulumtimit me metoda bashkëkohore, duke përfshirë monitorimet në kohë reale përmes inteligjencës artificiale (AI), me qëllim marrjen më të shpejtë dhe të saktë të të dhënave, si dhe përgatitjen e strategjive afatgjata për menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve.

Nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, zj. Sonja Gebert, përfaqësuese e UNEP, prezantoi objektivat e projektit ndërkombëtar “Experience Exchange between Central Asia and Western Balkan on Climate Change Informed Wildlife Conservation and Ecosystem-based Adaptation”. Ajo vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes aktive të kërkuesve të rinj dhe studentëve në fazat praktike të projektit, përmes angazhimit në terren dhe mbledhjes së të dhënave mbi biodiversitetin dhe ndikimet klimatike.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Bashkisë Shkodër, zj. Aida Shllaku dhe z. Renato Lumçi, shprehën angazhimin institucional për të bashkëpunuar me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë në ruajtjen e mjedisit, promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe fuqizimin e rolit të komunitetit në menaxhimin e zonave të mbrojtura.

Workshop-i shërbeu si një platformë ndërveprimi të vlefshme jo vetëm për shkëmbim përvojash dhe informacioni teknik, por edhe si një nxitje për studentët e Universitetit të Shkodrës që të orientohen drejt fushave të kërkimit të aplikuar dhe pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare. Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes universiteteve, institucioneve kërkimore dhe organizatave ndërkombëtare përballë sfidave që sjellin ndryshimet klimatike në rajonin e Alpeve Shqiptare dhe më gjerë.