Workshop-i “Përtej Fjalëve” – Një thirrje për komunikim të ndërgjegjshëm dhe parandalim të dhunës verbale
Sot, në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua me sukses workshop-i ndërdisiplinor me temë:
“Përtej fjalëve: Strategji për parandalimin e dhunës verbale”, një aktivitet i ideuar dhe moderuar nga Dr. Rezearta Murati, Departamenti i Gjuhësisë, FSHSH.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte të nxisë reflektimin mbi një nga fenomenet më të zakonshme dhe më pak të dukshme të jetës së përditshme: dhunën verbale. Me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, ky aktivitet solli një qasje ndërdisiplinore, duke përfshirë ekspertë të gjuhësisë, psikologjisë, komunikimit dhe së drejtës.
Fjala e hapjes u mbajt nga Dr. Rezearta Murati, e cila theksoi rëndësinë e gjuhës si mjet që mund të ndërtojë ose të dëmtojë, dhe nevojën për të ndërtuar një kulturë komunikimi të respektueshëm në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga:
• Prof. Dr. Blerta Dragusha, Zëvendësrektore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
• Prof. As. Dr. Orjeta Baja, Drejtore e Departamentit të Gjuhësisë
Kontributet akademike përfshinë:
• Dr. Merita Hysa – Aspektet gjuhësore të dhunës verbale në komunikimin ndërpersonal
• Dr. Isida Hoxha – Dhuna verbale në media: sfidat dhe strategjitë për parandalimin
• Dr. Arben Hoti – Ndikimi i faktorëve psikologjikë në dhunën verbale
• Prof. As. Dr. Florian Bjanku – Roli i ligjit dhe kuadri ligjor për parandalimin e dhunës verbale
Prezantimet u zhvilluan si një diskutim i hapur me pjesëmarrësit, ku u ndanë eksperienca, reflektime dhe ide konkrete për ndërhyrje në situata të dhunës verbale në shkolla, media dhe jetën e përditshme.
Pjesëmarrja në workshop ishte mbresëlënëse:
• Rreth 120 pjesëmarrës, mes tyre studentë nga programet e Gjuhë-Letërsisë, Psikologjisë, Punës Sociale, Arsimit Fillor, Arsimit Parashkollor dhe Infermierisë
• Nxënës nga të gjitha shkollat e mesme të qytetit, publike dhe private
Aktiviteti u përmbyll me me një mesazh të qartë:
Fjalët nuk janë të pafajshme – ato ndërtojnë ose lëndojnë. Është detyra jonë të zgjedhim fjalët që ndërtojnë.