• Ankesa

Vizitë disaditore në Universitetin e Shkodrës nga Prof. Christophe LEYS, Dekan i ULB

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” pati kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë akademike dhe kulturore dyditore Prof. Christophe LEYS, Dekan i Fakultetit të Psikologjisë, Edukimit dhe Logopedisë në Université libre de Bruxelles (ULB).

Vizita nisi me një takim zyrtar në Rektorat, ku Rektori Gjuraj, priti Prof. LEYS në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese. Gjatë këtij takimi u diskutua për zgjerimin e marrëdhënieve institucionale ndërmjet dy universiteteve, përmes bashkëpunimeve pleurobilaterale, shkëmbimeve akademike, si dhe përfshirjes në projekte të përbashkëta në kuadër të Erasmus+.

Takimit iu bashkua edhe Prof. Jean-Michel De Waele, profesor i Shkencave Politike në ULB dhe visiting professor në Fakultetin e Drejtësisë të UNISHK, si dhe Paulina Guli Hoti, koordinatore akademike për bashkëpunimin me ULB-në.

Më pas, të ftuarit vizituan ekspozitën e studentëve të Arteve në hollin e Rektoratit, ku u njohën me krijimtarinë artistike dhe dinamizmin e jetës studentore në Universitetin e Shkodrës.

Prof. Christophe LEYS mbajti dy leksione të hapura për studentët dhe stafin akademik të dy fakulteteve:

• Fakulteti i Drejtësisë

Tema: “Ndikimi i emocioneve të të pandehurit në dënimin gjyqësor në bazë të përkatësisë etnike”

Në këtë leksion, u trajtuan çështje ndërdisiplinore mes psikologjisë dhe drejtësisë, duke analizuar rolin e emocioneve dhe perceptimeve në procesin gjyqësor.

• Fakulteti i Shkencave të Edukimit

Tema: “Qëndrueshmëria si bashkëveprim i disa proceseve”

Në këtë ligjëratë u trajtua qëndrueshmëria psikologjike si një proces kompleks që ndërtohet nëpërmjet ndërveprimit të faktorëve personalë, socialë dhe institucionalë.

Gjatë ditës së dytë, Prof. LEYS u prit nga Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, znj. Eranda Halluni, si dhe nga stafi akademik i Departamentit të Psikologjisë dhe Punëve Sociale, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në programe të përbashkëta studimi dhe kërkimi shkencor.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit të Shkodrës, rritjes së kapaciteteve kërkimore dhe integrimit të tij në rrjete akademike të përparuara evropiane.