Në kuadër të projektit “Vështrim në trashëgiminë shqiptare, përmes gjurmimeve dhe përkthimeve studentore. (Studentët si ambasadorë të kulturës), mbështetur nga Universitetit i Shkodrës” Luigj Gurakuqi’; një grup studentësh dhe pedagogësh të programeve të studimit, Media-Komunikim dhe Frëngjisht, zhvilluan gjatë ditës së premte një tur vizitash, takimesh dhe hulumtimesh në zonën e Ulqinit, përkatësisht në:
➢ Zonën turistike të Shasit të vjetër, ku u njohën me historikun e kësaj zone nga historiani Nail Draga, i cili krahas historikut, i cili mbart një qytetërim të hershëm Ilir, e njohi grupin nga Shkodra edhe me vlerat turistike, resurset dhe thesaret që mbart kjo zonë, e cila ndodhet në kufi me Shkodrën.
➢ Takimet vijuan me mikpritjen në Bashkinë e Ulqinit nga Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Sabri Salaj, i cili i njohi të pranishmit me funksionit e Institucionit dhe prioritetet. Theksi i takimit u përqendrua tek mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Komunsës së Ulqinit dhe Universitetit të Shkodrës, ku studentët mund të marrin pjesë në projekte të përbashkëta dhe mund të zhvillojnë praktika studentore.
➢ Grupi i projektit, pati mundësinë të zhvillojë një takim njohës dhe informues me stafin e mësuesve dhe drejtoreshen e shkollës sē mesme të Ulqinit “ Bashkim- Vllaznim”, Msc. Ardita Kovaçi.
Në takim u paraqitën programet me të cilat kjo shkollë punon dhe u diskutua për mundësinë e ndihmesave të përbashkëta gjatë vitit dhe më gjerë. Stafet u shprehën të gatshëm për shkëmbime dhe hartimin e projekteve të përbashkëta, kryesisht në fushën e kulturës dhe komunikimit.
➢ Me mjaft interes u ndoq vizita në Radion e parë private në gjuhën Shqipe në Ulqin ” Radio Elita”. Biseda me drejtuesit e Radios, Zenel dhe Vera Katana, zgjoi interesin e studentëve për programacionin, hartimin e tij, mundësitë ekonomike për mbajtjen e Radios etj.
➢ Kalaja e Ulqinit, tërhoqi vëmendjen e veçantë të studentëve dhe pedagogove. Arkeologu dhe kuratori i muzeut të Kalasë u foli të pranishmëve për historikun, legjendat dhe ndërtimin e saj, duke e pranëvënë historikun e qytetit të Ulqinit me atë të Shkodrës.
➢ Studentët u shoqëruan gjatë guidës dhe gjurmimit, në pikën magjike të Valdanosit, nga drejtori i muzeut të Ulqinit, historiani Gazmend Kovaçi. Ato u njohën përmes diskutimeve me shumëllojshmërinë e mundësive turistike dhe aseteve që ofron zona e Valdanosit, me pasuritë ujore, bimore por edhe agro-blektorale të zonës e kryesisht me pasurinë që ofron kultivimi i Ullirit. Theksojmë se kjo Zonë është ndër më të veçantat e Europës.
➢ Kultivimi i ullirit ka nxitur ndër shekuj edhe prodhimin e tij. Përpunimit nëpërmjet traditës së vjetër me gur nga fabrika e përpunimit të “ Vëllezërve Kollari”, u bë ndalesa e fundit për këtë fazë të projektit.
Së pari, kultura dhe trashëgimia, janë thelbësore për identitetin tonë kombëtar dhe personal.
Thellimi në kërkim dhe eksporimi në terren do t’i ndihmojë studentët të njihen më nga afër me to.
Vëzhgimi nga afër do t’i ndihmojë ata në rritjen e ndërgjegjësimit dhe respektit për kulturën tonë dhe kulturat e tjera.
Së dyti, studentët do të jenë në gjendje të luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Ata janë, ambasadorët e ardhshëm të kulturës dhe kanë mundësitë ndihmojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dhe pasurisë kulturore
Studentët do të rritin kapacitetet e tyre në drejtim të zhvillimit të aftësive në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe përkthimit.
Projekti i paraqitur synon që tʼi ndihmojë studentët në zhvillimin e një kulture të leximit, shkrimit dhe përkthimit, si dhe në ngritjen e ndërgjegjësimit të rëndësisë së kulturës dhe trashëgimisë kulturore në botën moderne.
Projekt do të ndihmojë për të nxitur ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe për të nxitur studentët të jenë pjesë e këtij procesi në mënyrë kreative dhe argëtuese.