Sot, më 16 dhjetor, te Biblioteka Shkencore e Universitetit "Luigj Gurakuqi" Shkoder, përmes një bashkëpunimi mes departamenteve të Letërsisë të Universiteteve të Korçës “Fan Noli” dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u promovuan, në prani të krijuesve shkodranë, studentëve dhe nxënësve të talentuar në letërsi, vëllimet me tregime: “Dritarja majë çatisë” Eris Rusi dhe “I ra mjegulla Buenës” Arben Prendi. Të dy librat janë botime të Shtëpisë Botuese “Schnell”.
Takimi u moderua nga pedagogia Dr. Merita Hysa, e cila, duke paraqitur profilet krijuese të dy autorëve, vlerësoi bashkëpunimin mes dy universiteteve edhe në përcjelljen dhe studimin e letërsisë më të re.
Përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Schnell”, shkrimtarja Eralda Baze, theksoi mbështetjen e kësaj shtëpie botuese për letërsinë cilësore dhe nevojën që vetë institucionet universitare të thellojnë bashkëpunimin mes tyre edhe në fushën e njohjes dhe studimit të letërsisë.
Për vlerat artistike të librit me tregime “Dritarja majë çatisë” të dr. Eris Rusit, referuan Dr. Gëzim Puka, prof.as.dr. Arben Prendi nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa për librin me tregime “I ra mjegulla Buenës” të Arben Prendit, referuan Dr. Ilia Shyti dhe Dr. Eris Rusi nga Universiteti i Korçës “Fan Noli”. Referuesit veçuan nevojën e shkrimtarëve për të njohur letërsinë e njëri-tjetrit dhe se ky takim i shërben edhe këtij qëllimi. Ata vunë në dukje teknikat narrative, tematikat dhe mjeshtërinë e të treguarit në vëllimet në fjalë duke bërë vlerësime të ndërsjellta për veprat në fjalë.
Studentët e programit Gazetari-Komunikim, Arjola Zadrima dhe Marjo Gjini shoqëruan kumtesat me interpretime nga tregimet e Eris Rusit dhe Arben Prendit.