Universiteti i Shkodrës: Riorganizimi dhe Fokusimi në Studentë dhe Kërkim Shkencor

Universiteti i Shkodrës me një qasje të re dhe të orientuar drejt kërkesave të kohës.

Universiteti i Shkodrës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe përmirësimit të shërbimeve, duke vendosur studentët dhe kërkimin shkencor në qendër të prioriteteve të tij.

Në mbledhjen e sotme të Senatit Akademik, Brisena Kopliku prezantoi riorganizimin e drejtorisë që drejton, që u miratua me unanimitet nga anëtarët e senatit.

Pikat kyçe të këtij riorganizimi përfshijnë:

Krijimin e Drejtorisë së dedikuar për studentët dhe marrëdhëniet me publikun.

Krijimin e Drejtorisë për kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin.

Krijimin e Zyrës së Ekselencës, që do të mbështesë iniciativat e reja dhe zhvillimet strategjike të universitetit.

Këto reforma synojnë:

Përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor, duke mbështetur akademikët dhe studentët në projekte inovative, të lidhura me realitetin ekonomik dhe shoqëror.

Mbështetje më të madhe për studentët, përmes shërbimeve më të avancuara dhe politikave që nxisin zhvillimin profesional dhe personal të tyre.

Përforcimin e transparencës dhe komunikimit publik, duke ndërtuar partneritete të forta me komunitetin dhe institucionet partnere.

Diversifikimin e bashkëpunimeve me sektorin privat dhe bizneset lokale e ndërkombëtare.

Ky riorganizim reflekton angazhimin e Universitetit të Shkodrës për të qenë një qendër e ekselencës akademike dhe kërkimore, duke iu përshtatur nevojave dhe sfidave të kohës.