• Ankesa

Universiteti i Shkodrës nderon Prof. Dr. Francesco Altimarin me titullin “Doctor Honoris Causa”

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Palermos dhe Fondacionin Universitar “Francesco Solano”, organizoi më 21 mars 2025 një ceremoni solemne për akordimin e titullit të lartë “Doctor Honoris Causa” akademikut të shquar, Prof. Dr. Francesco Altimari.

Ky vlerësim erdhi si mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e albanologjisë, veçanërisht në studimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi rolin kyç të Prof. Dr. Altimarit në ruajtjen e identitetit arbëresh dhe në krijimin e një ure të fortë mes kulturës shqiptare dhe asaj europiane.

“Prof. Dr. Altimari nuk është vetëm një studiues i shquar, por edhe një urë lidhëse mes traditës dhe modernitetit, mes Shqipërisë dhe Italisë, mes kujtesës historike dhe vizionit për të ardhmen. Ky çmim është një shenjë e mirënjohjes sonë për të dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm që do të ndjekin gjurmët e tij në kërkimin shkencor dhe ruajtjen e identitetit arbëresh.” – u shpreh Rektori Gjuraj.

Ceremonia u pasua nga një konferencë shkencore, ku akademikë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Italia trajtuan tematika të ndryshme mbi kontributin e Prof. Dr. Altimarit në albanologji, studimet arbëreshe dhe filologjinë shqiptare.