Në kuadër të bashkëpunimit me shkollat e mesme në rajon dhe të angazhimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për të forcuar lidhjet me shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë, të hënën, më datë 26 maj 2025, në ambientet e Rektoratit u hap ekspozita e artit dhe u zhvillua koncerti i organizuar nga shkolla e mesme “Vëllazërim – Bashkim” Ulqin.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku morën pjesë drejtues të Universitetit, mes tyre edhe Rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, si dhe mësues, nxënës dhe prindër nga Ulqini. Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Gjuraj përgëzoi të rinjtë për talentin dhe pasionin që shfaqën nëpërmjet veprave artistike dhe performancave muzikore, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimeve të tilla kulturore dhe arsimore për forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombëtare .
Në kuadër të këtij aktiviteti, Rektori Gjuraj priti në një takim edhe drejtoreshën e shkollës së mesme “Vëllazërim – Bashkim”, znj. Ardita Kovaçi, me të cilën bisedoi mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional në të ardhmen, përfshirë projekte të përbashkëta kulturore dhe arsimore, si dhe nisma që synojnë afrimin e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi me jetën akademike në Shkodër .
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori u bëri thirrje nxënësve që Universitetin e Shkodrës ta kenë si zgjedhje të parë për studimet e larta, veçanërisht për ata që kanë prirje në fushën e artit . Ai theksoi se Departamenti i Arteve në UNISHK është një nga më të vlerësuarit në vend, për shkak të traditës së pasur kulturore të Shkodrës, si dhe stafit të kualifikuar akademik , i cili u ofron studentëve një formim të plotë profesional dhe krijues.
Ky aktivitet vjen pas një vizite të mëhershme të Rektorit në shkollën “Vëllazërim – Bashkim”, ku ai ndau me maturantët vizionin e Universitetit të Shkodrës si një qendër akademike e hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë shqiptarët në rajon.