• Ankesa

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi me sukses aktivitetin “Dita e Dyerve të Hapura”, një nismë e re që synon të afrojë maturantët me jetën universitare dhe t’i ndihmojë ata në orientimin drejt zgjedhjeve të tyre akademike.

Në një atmosferë mikpritëse dhe frymëzuese, maturantë nga Shkodra, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe rajonit, u bënë pjesë e kësaj dite të veçantë, duke vizituar ambientet universitare, duke u njohur nga afër me programet e studimit dhe duke bashkëbiseduar me pedagogë dhe studentë të UNISHK.

Para godinës së Rektoratit, në një ambient tashmë të rinovuar nga Bashkia Shkodër, Rektori Tonin Gjuraj theksoi rëndësinë e kësaj dite si një moment kyç për të rinjtë, një pikëtakim mes ëndrrave dhe vendimeve që do të formësojnë të ardhmen e tyre. Universiteti u prezantua jo vetëm si një institucion arsimor, por si një hapësirë zhvillimi, ku idetë marrin jetë dhe ambiciet kthehen në realitet.

Në vijim të aktivitetit, përshëndetën Nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, si dhe Drejtorja e ZVA Shkodër, Brisela Kadija, të cilat ndanë mesazhe inkurajuese për maturantët dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të arsimit cilësor.

Ky aktivitet u zhvillua njëkohësisht edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (FGJH), Fakultetin e Shkencave Shoqërore (FShSh), Fakultetin Ekonomik (FE), Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FShN), Fakultetin e Drejtësisë (FD) dhe Fakultetin e Shkencave të Edukimit (FShE).

Kjo nismë përbën një risi për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe synohet që të kthehet në një traditë të përvitshme, duke krijuar një urë të qëndrueshme komunikimi mes universitetit dhe brezit të ri të studentëve.