Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” renditet i pari për pjesëmarrje në Sondazhin Kombëtar të Studentëve 2025!
Një arritje e jashtëzakonshme për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili renditet i pari mes universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri, në kuadër të Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2025.
Ky sondazh organizohet çdo tre vjet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe u jep studentëve fjalën kryesore për të vlerësuar cilësinë e mësimdhënies, programet e studimit dhe shërbimet që marrin nga institucionet e arsimit të lartë. Mendimi i tyre është thelbësor, pasi ndihmon ASCAL-in, Bordin e Akreditimit dhe vetë universitetet për të kuptuar më mirë përvojën studentore dhe për të përmirësuar vazhdimisht standardet akademike.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2025:
Universiteti i Shkodrës mban 8.5% të totalit të përgjigjeve të ponderuara në nivel kombëtar, duke pasur kontributin më të madh individual ndër të gjitha IAL-të.
Rreth 40% e studentëve të UNISHK-ut morën pjesë në sondazh, një përqindje që tejkalon disa herë nivelin e pjesëmarrjes së shumë institucioneve të tjera, publike dhe private.
Që nga hera e parë kur u zhvillua ky sondazh në vitin 2018, këtë vit universitetet publike kryesuan mbi ato jopublike për nga pjesëmarrja, dhe në këtë kontekst UNISHK spikat qartazi si institucioni lider në angazhimin studentor.
Ky rezultat është dëshmi e:
Kulturës së konsoliduar të përgjegjësisë studentore
Besimit në proceset e sigurimit të cilësisë
Një komuniteti akademik aktiv dhe të përkushtuar
Një moment i madh krenarie për Shkodrën dhe për gjithë komunitetin universitar!
