Sot, përpara mbledhjes së Senatit Akademik, Rektori Gjuraj, në një prononcim për mediat, theksoi rëndësinë e mobilizimit të të gjithë stukturave të UNISHK për raundin e dytë të regjistrimeve që vijon nga data 29 shtator – 8 tetor 2025.
Rektori bëri me dije se më 6 tetor, në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik, universitetin do ta nderojë me praninë e saj Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro.
Një tjetër ngjarje madhore është Ceremonia e Diplomimit të studentëve, e cila do të zhvillohet më 16 tetor, në sheshin para Teatrit Migjeni, duke sjellë emocion e krenari për të diplomuarit e këtij viti.
Rektori nënvizoi se regjistrimet këtë vit nuk kanë pësuar rënie krahasuar me vitin e kaluar. Përkundrazi, pritet të kemi studentë të rinj nga trojet shqiptare, si dhe transferime të reja.
Pas raundit të dytë, do të vijojë edhe raundi i tretë i regjistrimeve (i njohur ndryshe si raundi i lirë), që do të zhvillohet nga 13 tetor – 24 tetor 2025, duke i dhënë mundësi të gjithë maturantëve që ende nuk janë regjistruar të bëhen pjesë e familjes së madhe të UNISHK.
Bashkëpunimi me pushtetin vendor vijon të jetë i suksesshëm, ku ndërhyrjet në rikonstruksione dhe përfaqësimi i pushtetit vendor në Bordin Administrativ të UNISHK pritet të bëjnë të mundur edhe financime të reja për universitetin.
“Jemi të gjithë të përkushtuar për ta nisur vitin akademik sa më mbarë dhe me energji pozitive” – u shpreh Rektori Gjuraj.
