• Ankesa

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” hapi sot dyert për Konferencën e 20-të Vjetore

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” hapi sot dyert për Konferencën e 20-të Vjetore Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi në kohë të trazuara”, një ngjarje që këtë vit rikthehet në Shkodër pas një udhëtimi ndër vite ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Seanca plenare e hapjes u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë akademike, ku studiues, pedagogë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga 26 vende të botës krijuan një mozaik të gjallë idesh dhe perspektivash.

Seanca u moderua me profesionalizëm nga Zv. Rektorja Blerta Dragusha.

Rektori i UNISHK, Tonin Gjuraj, në fjalën e tij theksoi rolin unik të njeriut në epokën e teknologjisë së avancuar:

“Zhvillimet e teknologjisë nuk duhet të na nxisin të jemi konkurrues dhe imitues të krijesave tona inteligjente, por të bëjmë përpjekje të eksplorojmë kufijtë e së pamundshmes njerëzore. Sado të avancojë teknologjia, përgjigjja ndaj sfidave të sotme mbetet vetëm Njeriu — mendja e tij, jemi ne.”

Në vijim, përshëndeti z. Lekë Sokoli, kryetar i Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe koordinator i përgjithshëm i konferencës, duke rikthyer vëmendjen te rruga 20-vjeçare e këtij forumi shkencor.

Në seancë u dhanë gjithashtu përshëndetje të veçanta nga përfaqësues të rëndësishëm të botës akademike në rajon:

– Prof. Dr. Bekim Fetai, Rektor i Universitetit “Mother Teresa”, Shkup, Maqedonia e Veriut;

– Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, Kosovë;

– Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, Kosovë.

Të tre rektorët vlerësuan rolin unifikues të konferencës dhe ndikimin e saj në forcimin e rrjeteve akademike ndërballkanike.

Organizatorët rikujtuan se konferenca, tashmë me 20 vite traditë, ka udhëtuar ndër vite në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Korçë, duke u shndërruar në një urë të qëndrueshme bashkëpunimi rajonal.

I ftuar i nderit i ditës së sotme ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, i cili përgëzoi lidhjet e forta ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në dy vendet.

Fjalën përshëndetëse e mori më pas znj. Eurona Leka, në emër të Konferencës së 5-të të Shkollës së Drejtorëve të Arsimit Parauniversitar, e cila ndaloi te rëndësia e formimit të vazhdueshëm të drejtuesve arsimorë dhe sfidat që ky sektor përballet.

Nga Italia, në emër të Universitetit Ndërkombëtar të Romës dhe Diasporës Akademike Shqiptare, foli znj. Romina Gurashi, duke nënvizuar intensitetin dhe cilësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare, si dhe rolin e diasporës në forcimin e platformave kërkimore.

Këtë vit konferenca sjell përmasa mbresëlënëse: 180 punime shkencore, 275 autorë e kontribues, dhe pjesëmarrës nga katër kontinente. Paralelisht, gjatë 14–15 nëntorit zhvillohen edhe Konferenca e 5-të e Shkollës së Drejtorëve, Konferenca e 4-të e LTC dhe Botimeve “Polis”, si dhe Konferenca e 6-të e Forumit Sociologjik të Ballkanit.

Fjalën përmbyllëse të seancës plenare e mbajti znj. Bresena Kopliku, Drejtore e Kërkimit Shkencor dhe Ndërkombëtarizimit në UNISHK, e cila ka mbajtur peshën kryesore të organizimit të këtij edicioni, duke e çuar me sukses drejt një fillimi të mbarë.

Atmosfera e ditës së parë dëshmoi edhe një herë se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet një qendër e rëndësishme e dialogut shkencor ndërkombëtar — një vend ku idetë takohen, ku lindin bashkëpunime dhe ku sfidat e kohëve të trazuara trajtohen me vizion dhe përgjegjësi akademike.